VLEN ka kërkuar hetim të plotë të lidhjeve të pretenduara afariste ndërmjet familjarëve të afërt të Ali Ahmetit, kompanisë serbe Alta Banka dhe strukturave të lidhura me pushtetin e Aleksandar Vuçiqit.
Në një komunikatë, VLEN pretendon se kompania AS Senjak, e lidhur me krushkun e Ahmetit, ka qenë pjesë e transaksioneve financiare që përfshijnë blerjen dhe shitjen e aksioneve në Stopanska Banka Bitola, si dhe një kredi prej 5 milionë eurosh nga Alta Banka në Beograd.
Sipas VLEN-it, vetëm gjashtë ditë pas shitjes së aksioneve, një komunë e drejtuar nga BDI-ja i ka dhënë kompanisë dy kontrata me vlerë 90 milionë denarë.
Koalicioni kërkon nga Prokuroria dhe Komisioni Antikorrupsion të hetojnë transaksionet, ndërsa nga BDI-ja publikimin e procesverbaleve të takimeve të Bujar Osmanit dhe Ali Ahmetit me zyrtarët serbë.
“Heshtja nuk mund të jetë përgjigje për çështjet që prekin interesin publik”, thekson VLEN, duke kërkuar sqarime të drejtpërdrejta nga Ali Ahmeti.

