Një aksident i rëndë trafiku ka ndodhur mëngjesin e sotëm në bulevardin “Boris Trajkovski” në Shkup, në afërsi të ish-fabrikës “Stakllarnica”.
Sipas mediave maqedonase, në aksident janë përfshirë dy automjete, një “Mercedes” dhe një “Citroen”, të cilat kanë pësuar dëme të konsiderueshme nga përplasja. Pjesë të automjeteve janë shpërndarë nëpër rrugë.
Për shkak të aksidentit, qarkullimi në këtë pjesë të qytetit po zhvillohet me vështirësi, ndërsa janë krijuar kolona të gjata automjetesh.
Ekipet policore ndodhen në vendngjarje dhe po kryejnë hetimet për të zbardhur shkaqet e aksidentit.
Deri më tani nuk ka informacione zyrtare nëse ka persona të lënduar.

