Një pikë karburanti në qytetin e Klosit u grabit në orët e para të mëngjesit nga dy persona të maskuar, të dyshuar se kanë marrë një shumë parash pasi kërcënuan punonjësin e subjektit.
Sipas informacioneve paraprake, njëri prej autorëve mbajti nën kontroll punonjësin e karburantit, ndërsa grabitësi tjetër, mori paratë e kasafortës. Pas grabitjes, të dy autorët u larguan nga vendngjarja.
Deri më tani nuk është bërë e ditur vlera e shumës së grabitur, ndërsa ende nuk dihet nëse autorët kanë qenë të armatosur gjatë kryerjes së grabitjes.
Menjëherë pas njoftimit, në vendngjarje shkuan shërbimet e Policisë, që nisën veprimet hetimore për zbardhjen e plotë të rrethanave, identifikimin dhe kapjen e autorëve.
Hetimet vijojnë, ndërsa policia po punon për sigurimin e provave dhe verifikimin e kamerave të sigurisë në zonë.

