Akuzohen se bllokuan rrugën dhe penguan qarkullimin e automjeteve, 16 masa administrative ndaj pjesëmarrësve në protestën e djeshme te Kryeministria. Sipas njoftimit zyrtar të Policisë Tiranë, secili u gjobit me nga 5 mijë lekë. 14 gjoba iu vunë personave të shoqëruar nga blutë dhe dy, pas identifikimit të protestuesve përmes pamjeve filmike.
Ndërkohë, nisën hetime penale për dy të mitur. Dyshohet se në bashkëpunim me njëri-tjetrin e të maskuar, kryen veprime të kundërligjshme gjatë tubimit të organizuar nga studentët në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit”.
Njoftimi i plotë i Policisë:
Procedohen penalisht 2 shtetas të mitur, të dyshuar për veprime të kundërligjshme gjatë protestës së djeshme.
Në zbatim të Aktit Normativ nr. 5, datë 28.10.2026, sipas pikës 2 të nenit 24/1, janë plotësuar 16 procesverbale për konstatimin e kundërvajtjeve administrative.
Masat administrative janë vendosur pasi, gjatë tubimit të zhvilluar në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, përpara Kryeministrisë, këta shtetas kanë bllokuar rrugën, duke penguar qarkullimin e mjeteve të transportit. Pavarësisht thirrjeve të përsëritura të punonjësve të Policisë, nëpërmjet megafonit, për lirimin e rrugës, nuk u janë bindur këtyre thirrjeve.
Nga 16 masat administrative, 14 janë vendosur ndaj shtetasve të shoqëruar, ndërsa 2 të tjera janë vendosur bazuar në identifikimin e shtetasve nga pamjet filmike. Për secilin është vendosur masa e gjobës në vlerën 5 000 lekë.
Gjithashtu, specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Nr. 2 referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi penal për 2 shtetas të mitur, pasi më datë 02.11.2026, në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, gjatë zhvillimit të tubimit të organizuar nga studentët, dyshohet se, në bashkëpunim me njëri-tjetrin dhe të maskuar, kanë kryer veprime të kundërligjshme gjatë protestës së djeshme.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë për veprime të mëtejshme.

