Presidenti i Republikës, Bajram Begaj nisi konsultimet për të përcaktuar datën e vendoreve 2027. Në Pallatin e Brigadave, fillimisht shkoi kryetari i grupit parlamentar socialist, Taulant Balla për të vijuar me përfaqësuesit e Partisë Socialdemokrate.
Kujtojmë se Partia Demokratike e refuzoi ftesën, për të dytën herë. Kreu i grupit, Gazment Bardhi, e cilësoi procesin si “teatër politik”, duke pretenduar se data e zgjedhjeve është e paracaktuar nga kryeministri Edi Rama.
Sipas opozitës, Begaj duhet të fokusohet te situata politike në vend, protestat dhe shqetësimet e ngritura nga qytetarët, në vend që të zhvillojë konsultime, që PD-ja i konsideron “formale”.
Zgjedhjet pritet të zhvillohen në periudhën 15 prill-15 maj 2027. Deri më tani, asnjë parti nuk ka propozuar datë konkrete.
Si mundësi përmendet 9 maji, pasi 2 maji përkon me Pashkën Ortodokse. Por, vendimi përfundimtar i takon Presidentit të Republikës, që e përcakton datën përmes dekretit përkatës, brenda afatit kushtetues.

