Konvikti studentor “Stiv Naumov” në Shkup është sërish në qendër të kritikave, pas ankesave të shumta të studentëve për kushtet e papërshtatshme të jetesës, pavarësisht rikonstruksionit të objektit.
Sipas iniciativës “Rezistenca Studentore”, studentët përballen me lagështi, myk, mungesë ngrohjeje dhe uji të ngrohtë, ndërsa në disa dhoma raportohet për rrjedhje nga tavanet dhe përmbytje.
Shqetësimet janë shtuar edhe pas zjarrit që shpërtheu në njërën prej barakave, ku u përfshi nga flakët një bojler. Fatmirësisht, nuk pati të lënduar.
Platforma “Studentaria” ka publikuar pamje të reja që tregojnë rrjedhje uji, dhoma të përmbytura dhe radiatorë që, në vend të ngrohjes, prodhojnë zhurmë të madhe.
Nga drejtoria e konviktit më herët kanë deklaruar se objekti është nën garanci 18-mujore dhe se defektet duhet të riparohen nga kompania që ka kryer punimet.
Ndërkohë, Ministria e Arsimit i ka cilësuar kushtet në objektin e rikonstruktuar si të shkëlqyera, ndërsa problemet si raste të izoluara. Ministria ka pretenduar gjithashtu se disa dëmtime janë shkaktuar nga përdorimi i papërgjegjshëm i hapësirave nga studentët.
“Rezistenca Studentore” kërkon ndërhyrje urgjente të institucioneve, duke theksuar se studentët paguajnë 6.600 denarë në muaj për akomodim, por ende nuk kanë kushte të sigurta dhe dinjitoze për jetesë.

