Më shumë se gjysma e pilotëve të anketuar kanë deklaruar se kanë kryer fluturime edhe kur ishin të lodhur, ndërsa mbi 76% kanë përjetuar të paktën një episod gjumi të pavullnetshëm gjatë fluturimit në katër javët e fundit.
Sipas një sondazhi të Shoqatës Evropiane të Pilotëve (ECA), frika nga pasojat në karrierë dhe mungesa e besimit te sistemet e raportimit i pengojnë pilotët të deklarojnë se nuk janë në gjendje të fluturojnë për shkak të lodhjes.
Studimi, i realizuar nga kompania Baines Simmons, përfshiu 7,200 pilotë në 32 vende. Rreth 47% e të anketuarve thanë se shqetësoheshin për reagimin e drejtuesve, ndërsa 44% nuk dëshironin të tërhiqnin vëmendjen dhe 35% hezitonin të krijonin vështirësi për punëdhënësin.
Pavarësisht se 82% e pilotëve dinin si të raportonin lodhjen, vetëm 12% kishin besim te sistemi i raportimit. Gjithashtu, gjysma e të anketuarve thanë se rreziku nga lodhja në kompanitë e tyre menaxhohej dobët ose nuk menaxhohej aspak.
Agjencia Evropiane e Sigurisë së Aviacionit (EASA) e ka identifikuar lodhjen e ekuipazheve si një nga shqetësimet kryesore për sigurinë ajrore, duke theksuar ndikimin e orareve të fluturimeve dhe kohës së pamjaftueshme për rikuperim mes turneve.

