Janë suspenduar 11 zyrtarë policorë lidhur me trajtimin e rastit të Arlinda Zekajt, e cila më 25 tetor u vra në Vitomiricë të Pejës.
Kjo bëhet e ditur përmes një njoftimi të Policisë së Kosovës, për shkak të për shkeljet dhe procedurat disiplinore, si dhe bazuar në rekomandimin e Inspektoratit Policor të Kosovës (IPK).
“Bazuar në rekomandimin e IPK-së, menaxhmenti i Policisë së Kosovës ka suspenduar: U.D/drejtorin Rajonal në DRP-Pejë, Shefin e Hetimeve Rajonale DRP – Pejë, Komandantin e Stacionit Policor – Pejë, Z.V/komandantin e Stacionit Policor – Pejë, Shefin e Sektorit të Hetimeve në Stacionin Policor –Pejë, U.D/Shefin e Sektorit të Operativës në Stacionin Policor – Pejë, Komandantin e Nënstacionit Vitomiricë dhe 4 (katër) hetues policorë të Stacionit Policor – Pejë”, theksoi IPK.
Po ashtu gjatë ditës, Këshilli Prokurorial i Kosovës ka miratuar suspendimin e kryeprokurores së Prokurorisë Themelore në Pejë, Lumturije Vuçetaj dhe prokurores Arlinda Nallbani-Gacaferri, lidhur me trajtimin e rastit të Arlinda Zekajt, e cila u vra më 25 tetor, nga i dyshuari Albert Sylaj, kunat i së ndjerës, i cili të martën në mbrëmje është arrestuar nga policia.
Por në protestat e organizuara pas vrasjes së Zekajt, që kanë vazhduar për ditën e dytë me radhë, është kërkuar shkarkimi e ndjekja penale e personave të përfshirë në rast në Prokurori, Gjykatë e Polici, e dorëheqja e ministrit të Brendshëm Xhelal Sveçla, ministres së Drejtësisë, Donika Gërvalla e kryetarit të Pejës Gazmend Muhaxheri.
Njëra prej organizatoreve të protestave, Anitë Nikaj, në fjalimin e mbajtur në protestë i ka përmendur kërkesat drejtuar Qeverisë.
“Kërkesat tona janë të qarta, s’duam suspendime, duam shkarkime, burgosje e ndjekje penale”, ka theksuar ajo.
Ndërkohë, zyra e Kryeministrit Albin Kurti bëri të ditur pasdite se ka pranuar raportet nga Ministria e Drejtësisë dhe ajo e Punëve të Brendshme për rastin e Arlinda Zekajt. Sipas njoftimit, së bashku me ministrat përkatës, raporti do t’i nënshtrohet shqyrtimin dhe analizimit për secilin lëshim, neglizhencë e përgjegjësi institucionale.
“Së bashku me ministrat përkatës do të bëhet shqyrtimi dhe analizimi i tyre në detaje, për historinë dhe rrjedhën e rastit, për secilin lëshim e trajtim të papërgjegjshëm, për neglizhencë e mosreagim, si dhe gjithçka që lidhet me procedurën dhe përgjegjësinë institucionale. Lidhur me këtë dhe veprimet e mëtejme, zëvendëskryeministrja dhe ministrja Donika Gërvalla Schwarz dhe ministri Xhelal Sveçla do të mbajnë një konferencë të përbashkët për media nesër në ora 9:00, në ZKM”, njofton Qeveria e Republikës së Kosovës.(INA)

