Protesta në kryeqytet vijon mes tensioneve dhe incidenteve, ndërsa protestuesit kanë hedhur sende në drejtim të autobotit të Policisë dhe kanë thyer edhe xhamat e godinës së Bashkisë së Tiranës.
Gjatë përplasjeve, protestuesit kanë brohoritur “Poshtë diktatura”, ndërsa situata në zonën pranë Bashkisë është tensionuar më tej.
Nga ana tjetër, Policia ka përdorur autobotin me ujë dhe gaz lotsjellës në përpjekje për të shpërndarë turmën dhe për të menaxhuar situatën.
Protesta është shoqëruar gjatë orëve të fundit edhe me hedhje molotovësh në drejtim të institucioneve, si dhe me raportime për protestues të lënduar.
Një tjetër protestues është parë i shtrirë pa ndjenja në sheshin “Skënderbej”, gjatë përplasjeve të regjistruara në protestën që po zhvillohet në kryeqytet.
Protestuesi është rrëzuar në tokë dhe është marrë në krahë nga disa protestues të tjerë, të cilët kanë ndërhyrë për ta larguar nga zona e përplasjes.
Ky është një tjetër incident i raportuar gjatë protestës, e cila është shoqëruar me përplasje mes protestuesve dhe Policisë, hedhje molotovësh dhe përdorim të gazit lotsjellës.
Situata në sheshin “Skënderbej” vijon të jetë e tensionuar.


