Monumenti simbolik “NEWBORN” në Prishtinë ka marrë një pamje të veçantë në Ditën e Flamurit, duke u veshur me ngjyrat kuqezi në nderim të 114-vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë.
Pjesa “NEW” e monumentit është ngjyrosur me të kuqe, ndërsa “BORN” me të zezë, duke krijuar një kombinim që pasqyron ngjyrat e flamurit kombëtar shqiptar.
Këtij ndryshimi simbolik i është shtuar edhe logoja e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), si një element përkujtimor që sjell në vëmendje historinë dhe luftën për çlirimin e Kosovës.
Ndërhyrja është realizuar në kuadër të iniciativës “Liria ka Emër”, si pjesë e aktiviteteve të organizuara për festimet e 28 Nëntorit.
Monumenti “NEWBORN”, një prej simboleve më të njohura të Prishtinës, i është bashkuar kështu atmosferës festive të Ditës së Flamurit, duke përcjellë mesazhe të identitetit kombëtar, historisë dhe kujtesës për luftën çlirimtare të Kosovës.

