Gjatë nëntë muajve të këtij viti në Maqedoninë e Veriut janë regjistruar shtatë vrasje të grave, ndërsa vetëm brenda një dite janë evidentuar tetë raste dhune dhe kërcënimesh. Në mesin e viktimave ka edhe një vajzë 12-vjeçare.
Organizatat qytetare kërkojnë ndryshime urgjente ligjore, dënime më të ashpra për dhunuesit dhe kompetenca më të mëdha për policinë, përfshirë largimin e dhunuesit nga shtëpia kur ekziston rrezik i drejtpërdrejtë.
Ato paralajmërojnë se ndryshimet ligjore presin prej tre muajsh në Kuvend dhe kërkojnë përgjegjësi institucionale, si dhe shërbime më të fuqishme për mbrojtjen e viktimave.
Sipas të dhënave të MPB-së, nga janari deri në shtator janë regjistruar 1.337 vepra penale të lidhura me dhunën në familje.

