Edhe pse sipas përllogaritjeve të Ministrisë së Arsimit, vakti i subvencionuar i studentëve duhet të arrijë në 156 denarë në ditë, studentët vazhdojnë të marrin 140 denarë. Për dallimin prej 16 denarësh dhe mënyrën e harmonizimit të shumës me inflacionin, tashmë janë ngritur tri padi në Gjykatën Administrative, mes tyre edhe padia e Blendi Hodait nga Forumi për Ndryshime në Arsim. Ministrja e Arsimit, Vesna Janevska, thotë se ligji nuk është mjaftueshëm i qartë për këtë çështje dhe se Ministria do të veprojë sipas vendimit të gjykatës.
“Për shkak të kësaj mospërputhjeje dhe interpretimeve të ndryshme të ligjit në Ministri tashmë kanë arritur tri padi në Gjykatën Administrative. Procedura është në vijim. Ne do të veprojmë në përputhje me vendimin që do të marrë Gjykata. Nuk ka asnjë problem për këtë”, tha Vesna Jenevska, ministre e Arsimit.
Ndërkohë, Janevska përsëriti se Qeveria po vazhdon përgatitjet për modelin e ri të vaktit studentor. Ai parasheh një aplikacion mobil, përmes të cilit studentët do të përfitojnë 20 për qind zbritje për ushqimin që blejnë te operatorët e përzgjedhur ekonomikë. Zbritja do të vlejë edhe për produktet që studentët do t’i blejnë me paratë e tyre në të njëjtat dyqane, furra buke apo restorante. Për këtë model tashmë është formuar një grup pune, ndërsa para se të merret vendimi përfundimtar, Ministria do të presë edhe qëndrimin e studentëve.
“Studentët propozuan që edhe një herë të organizojnë anketa, biseda dhe diskutime me parlamentet studentore në fakultete, për të marrë përgjigje nëse e pranojnë këtë model. Më pas, rezultatet do t’i përmbledhin dhe do të na i prezantojnë në Ministri. Ne do të presim”, theksoi Vesna Jenevska, ministre e Arsimit.
Janevska bëri të ditur se Qeveria do të shpallë thirrje për operatorët ekonomikë që do të ofrojnë ushqim. Do të përzgjidhen ata që plotësojnë kushtet për siguri dhe cilësi. Deri në vendimin për modelin e ri dhe përfundimin e procedurave gjyqësore, studentët do të vazhdojnë të marrin 140 denarë në ditë.

