Këngëtarja iraniane Parastoo Ahmadi u godit 74 herë me kamxhik të hënën për një performancë gjatë së cilës u shfaq pa hixhabin e detyrueshëm, sipas avokatit të saj mbrojtës, Mostafa Nili, të cituar nga organizata Iran Human Rights (IHRNGO), raporton CNN.
Edhe katër anëtarë të ekipit të saj të koncertit u dënuan secili me nga 74 goditje me kamxhik, njoftoi IHRNGO në platformën X, duke cituar Nilin.
Dënimet u ekzekutuan në Njësinë për Ekzekutimin e Dënimeve të Prokurorisë së Qomit ndaj Ahmadit, organizatorit të koncertit Mohsen Lashkari dhe muzikantëve Soheil Faghih-Nasiri, Amin Taheri dhe Amir-Ali Pirnia.
Rasti pasoi publikimin në internet të “Koncertit Karavanserai” të Ahmadit, i filmuar në dhjetor të vitit 2024 në karavanserain historik Deir-e Gachin, pranë Qomit, një qytet i shenjtë shiit që është shtëpi e shumë medreseve islame dhe konsiderohet bastion i konservatorizmit fetar, ndërsa termi persian karavanserai u referohet bujtinave të lashta të fortifikuara të përdorura nga udhëtarët dhe tregtarët si vende ndalese.
Një video e performancës, e cila nuk kishte publik të pranishëm, e shfaqte Ahmadi duke kënduar përkrah muzikantëve meshkuj, e veshur me një fustan të gjatë të zi, pa mëngë, dhe me flokët të pambuluara, në kundërshtim me rregullat e Iranit për hixhabin e detyrueshëm. Mahmood Amiry-Moghaddam, drejtor i IHRNGO-s, i tha CNN-it se veshja e Ahmadit ishte një faktor i rëndësishëm në dënimin e saj, por shtoi se ndjekja penale lidhej edhe me faktin se ajo kishte kënduar publikisht dhe, në një kuptim më të gjerë, kishte sfiduar autoritetet iraniane.(INA)

