Protesta e thirrur nga studentët vijon në rrugët e Tiranës, ku protestuesit kanë zgjedhur të marshojnë pas bllokimit të qarkullimit në disa akse të kryeqytetit.
Policia ka vendosur kordone në disa rrugë për të kufizuar lëvizjen e protestuesve, ndërsa marshimi po vijon pa incidente.
Protestuesit kanë marshuar fillimisht në Rrugën e Kavajës, ku janë përballur me një kordon policie që u ka penguar avancimin. Pas bllokimit, turma ka ndryshuar drejtim dhe është kthyer drejt qendrës së Tiranës, duke vijuar protestën në formë marshimi.
Më herët, pas bllokimit të qarkullimit në Rrugën e Durrësit, protestuesit kanë vijuar lëvizjen në rrugët e kryeqytetit. Fillimisht u raportua se destinacioni i tyre ishte selia e PS, por më pas itinerari u ndryshua.
Deri më tani marshimi po zhvillohet pa incidente apo përplasje mes protestuesve dhe forcave të rendit.

