Një 54-vjeçar nga Kumanova është proceduar penalisht pasi kërcënoi se do t’i digjte të bijën dhe mbesën, ndërsa kërcënimet i shoqëroi edhe me veprime konkrete, duke derdhur dy shishe benzinë brenda shtëpisë.
Prokuroria Themelore Publike në Kumanovë, pas kallëzimit të SPB-së Kumanovë, ka nisur procedurë për veprën penale „Rrezikim i sigurisë“ dhe i ka propozuar gjykatës caktimin e masës së paraburgimit.
Sipas Prokurorisë, bëhet fjalë për sjellje të përsëritur të dhunshme. Kundër të dyshuarit tashmë është ngritur edhe një aktakuzë për lëndim trupor ndaj të bijës, gjatë ushtrimit të dhunës familjare dhe nën ndikimin e alkoolit, e cila aktualisht është në fazën e gjykimit.
Pas incidentit të fundit është bërë vlerësim urgjent i rrezikut, i cili ka konstatuar rrezik serioz për jetën, sigurinë dhe integritetin fizik e psikik të viktimës dhe familjarëve të saj, si dhe mundësi për përsëritje të dhunës.
Prokurori ka vlerësuar se ekziston frikë e arsyeshme se i dyshuari mund t’i realizojë kërcënimet, ndaj ka kërkuar paraburgim, duke konsideruar se masat më të buta nuk do të ishin të mjaftueshme.
Sipas SPB-së Kumanovë, B.S., 54-vjeçar, është privuar nga liria pas raportimit se ishte agresiv dhe kërcënonte të bijën.

