Qeveria ka paraparë rritjen graduale të shtesave për fëmijë përgjatë mandatit të ri qeverisës, njoftoi kryeministri Albin Kurti në një mbledhje të Qeverisë.
Kurti tha se kanë paraparë rritjen në katër faza, “me nga 25% çdo vit mbi shumën aktuale”.
“Në linjë me premtimin tonë për dyfishim të shtesave për fëmijët përgjatë mandatit, kemi paraparë dhe buxhetuar rritjen graduale të shtesave në 4 faza, me nga 25% çdo vit mbi shumën aktuale. Pra nga 1 janari 2027, shtesat për fëmijë rriten 25%, pastaj edhe në janar të vitit 2028 përsëri 25%, në janar 2029 përsëri 25%, dhe në janar 2030 kompletohet rritja graduale duke rezultuar në dyfishimin e shtesave për fëmijë brenda mandatit”, tha ai.
“Me fjalë tjera, një familje që ka dy fëmijë dhe tash i merr 60 euro, nga janari do t’i marrë 75 euro, kurse një familje që ka 4 fëmijë dhe tash merr 180 euro, nga janari do t’i marrë 225 euro”, shpjegoi ai.
Kurti tha se “kjo rritje do të vazhdojë secilin vit, deri në dyfishimin e shtesave për fëmijë brenda këtij mandati”.
Sipas tij, ligji për buxhetin e vitit të ri parasheh pagën e 13-të në fillim të vitit dhe rritjen e koeficientit të pagave në 120 euro nga korriku 2027.
“Njësoj sikurse sivjet, buxheti 2027 parasheh edhe në vitin tjetër pagën e 13-të, dhe krahas saj edhe rritjen e koeficientit të pagave në 120 euro nga data 1 korrik 2027. Pra, në pjesën e parë të vitit paga e 13-të, kurse në pjesën e dytë të vitit rritje e pagës për të gjithë nëpunësit që marrin pagë nga buxheti”, tha ai.
Kurti tha se kështu do të përmbushin një prej premtimeve “qysh në vitin e ardhshëm”.
“Kjo e çon buxhetin e pagave në 1 miliardë e 85 milionë euro, e që kur përpjesëtohet me rreth 85 mijë punonjësit publikë, paga mesatare vjetore bruto rezulton mbi 12 mijë euro, apo mbi 1,000 euro bruto në muaj – gjë që nënkupton edhe përmbushjen e njërit nga premtimet tona për mandatin e radhës, qysh në vitin e ardhshëm. E sigurisht që rritja nuk ndalet me kaq, sepse do të vazhdojë secilin vit krahas rritjes ekonomike”, tha ai.

