Përplasja mes UEFA-s dhe FIFA-s po merr përmasa gjithnjë e më të mëdha, pasi institucioni më i lartë i futbollit evropian i ka kërkuar FIFA-s përgjigje për 42 çështje që lidhen me drejtimin e Gianni Infantinos, transparencën financiare dhe vendimmarrjen në futbollin botëror.
UEFA i ka vendosur FIFA-s afatin deri më 2 nëntor për të dorëzuar dokumentet dhe përgjigjet e kërkuara, duke kërkuar që çështjet të mos shtyhen deri në mbledhjen e ardhshme të Këshillit të FIFA-s, e paraparë për 16 dhjetor në Doha.
Në qendër të polemikave, siç raporton Reuters, është një projekt investimi prej 4.2 miliardë dollarësh, i njohur si FIFA Forward Enterprise, përmes të cilit ishte propozuar përfshirja e investitorëve privatë në të drejtat komerciale të Kupës së Botës dhe kompeticioneve të FIFA-s.
Propozimi, i iniciuar nga Infantino në korrik, parashihte një marrëveshje me kompaninë Thrive Capital, por u tërhoq pas kundërshtimeve të fuqishme, veçanërisht nga përfaqësuesit evropianë.
Megjithatë, UEFA kërkon të dijë se si janë zhvilluar negociatat, pse Këshilli i FIFA-s nuk ishte përfshirë në fazat përkatëse të vendimmarrjes dhe cilat ishin kushtet financiare të marrëveshjes së propozuar.
Lista prej 42 pyetjesh përfshin edhe çështje të tjera të ndjeshme, si shpërblimi personal i Infantinos, pagesat financiare ndaj këngëtarit Marc Anthony, shpenzimet për udhëtimet private të presidentit të FIFA-s dhe mënyra e trajtimit të disa vendimeve disiplinore.
Një prej çështjeve që ka ngritur pikëpyetje është edhe rasti i futbollistit amerikan Folarin Balogun, i cili kishte qenë në qendër të një vendimi disiplinor gjatë Kupës së Botës. UEFA kërkon sqarime për ndërhyrjen e pretenduar të presidentit amerikan Donald Trump te Infantino lidhur me këtë rast dhe ndikimin e mundshëm në procesin e vendimmarrjes.
Po ashtu, UEFA ka ngritur shqetësime për marrëdhëniet afariste dhe politike të Infantinos me Trumpin dhe persona të afërt me familjen e tij, si dhe për pavarësinë e komiteteve gjyqësore, zgjedhore dhe etike të FIFA-s.
Në letrën e dërguar nga sekretari i përgjithshëm i UEFA-s, Theodore Theodoridis, thuhet se shpjegimet e dhëna nga Infantino në mbledhjen e fundit të Këshillit të FIFA-s nuk kanë adresuar në mënyrë të kënaqshme shqetësimet kryesore.
“Pyetjet kërkojnë përgjigje tani. Ato nuk mund të shtyhen deri në mbledhjen e ardhshme të Këshillit të FIFA-s”, thuhet në letrën e UEFA-s, sipas raportimeve të mediave ndërkombëtare.
UEFA ka kërkuar gjithashtu dokumentacionin mbështetës për secilën çështje, ndërsa ka bërë të ditur se çdo refuzim për publikimin e informatave duhet të arsyetohet veçmas.
Nga ana tjetër, FIFA ka deklaruar se synon t’u përgjigjet pyetjeve, por ka theksuar se nuk ka ndërmend të shkelë konfidencialitetin e komunikimeve dhe dokumenteve të brendshme të Këshillit të saj.
Përplasja vjen në një moment të rëndësishëm për Infantinon, i cili synon një mandat të ri presidencial në zgjedhjet e FIFA-s, të parapara për 2027. Afati për konfirmimin e kandidaturave është 18 nëntori, ndërsa UEFA ende nuk ka paraqitur një kandidat përballë presidentit aktual.
Kjo situatë po shihet si një nga sfidat më serioze institucionale për Infantinon që nga marrja e drejtimit të FIFA-s në vitin 2016.

