Kolektivi për Mendim dhe Veprim Feminist po zhvillon për të tretën ditë me radhë protestë para objektit të Qeverisë, duke kërkuar përgjegjësi institucionale për vrasjen e Arlinda Zekajt në Vitomiricë të Pejës.
Protesta po mbahet në kohën kur ministrja e Drejtësisë, Donika Gërvalla Schwarz, dhe ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, po mbajnë konferencë të përbashkët për media.
Gjatë protestës, pjesëmarrëset kanë hedhur vezë në drejtim të ndërtesës së Qeverisë, ndërsa kanë tentuar të hyjnë brenda për të përcjellë konferencën e ministrave.
Ata kanë brohoritur “Dorëheqje!”, “Dilni jashtë!” dhe “Duam të hyjmë brenda!”, duke kërkuar përgjegjësi për vrasjen e Arlindës.
Protestueset kanë paralajmëruar se do të qëndrojnë para objektit të Qeverisë derisa të dalë kryeministri, për t’u njoftuar se çfarë vendimi ka marrë lidhur me këtë rast.
Protestueset po kërkojnë dorëheqjen e ministres Gërvalla dhe ministrit Sveçla, si dhe llogaridhënie institucionale për rastin.

