Policia e Shtetit ka identifikuar 52 persona të dyshuar për përfshirje në veprime të dhunshme gjatë protestave të javëve të fundit, kështu raportoi kreu i Policisë së Shtetit, Skënder Hita.
Ai deklaroi se materialet për personat e identifikuar i janë referuar Prokurorisë. Sipas tij, personat e dyshuar janë identifikuar pavarësisht përpjekjeve për të fshehur identitetin, ndërsa hetimet vijojnë për dokumentimin e plotë të rasteve të dhunës dhe identifikimin e personave të tjerë të përfshirë.
“Janë identifikuar 52 persona të dyshuar për përfshirje në veprime të dhunshme, pavarësisht se janë munduar të fshehin identitetin. Materialet i kanë kaluar Prokurorisë”, deklaroi Hita.Gjatë komunikimit të tij, Hita iu drejtua edhe prindërve, duke u kërkuar të tregojnë kujdes dhe të mos lejojnë përfshirjen e fëmijëve të mitur në protesta ku mund të ushtrohet dhunë.
Ai u bëri thirrje gjithashtu qytetarëve të shmangin çdo akt dhune dhe të distancohen nga personat që përfshihen në veprime të tilla.
Kreu i Policisë theksoi se Policia e Shtetit do të vijojë të garantojë të drejtën për protestë paqësore dhe të ligjshme, ndërsa ndaj personave që ushtrojnë dhunë apo dëmtojnë pronën publike dhe private do të zbatohet parimi i proporcionalitetit.
“Dhuna nuk justifikohet dhe as do të mbrohet në emër të kësaj të drejte”, u shpreh Hita.
Në fund, ai iu drejtua edhe përfaqësuesve të medias, duke vlerësuar rolin e gazetarëve, operatorëve dhe fotoreporterëve gjatë protestave. Hita nënvizoi rëndësinë e koordinimit në terren mes shërbimeve të policisë dhe punonjësve të medias, me qëllim garantimin e kushteve për ushtrimin e veprimtarisë gazetareske dhe sigurinë e të gjithë personave të pranishëm në protesta.
“Strukturat e Hetimit të Krimeve kanë intensifikuar punën për identifikimin e personave që kanë ushtruar dhunë. Janë identifikuar 52 persona të dyshuar për përfshirje në veprime të dhunshme, pavarësisht se janë munduar të fshehin identitetin. Materialet i kanë kaluar Prokurorisë. Vijon puna për identifikimin e tyre dhe të çdo veprimi të dhunshëm gjatë javëve të fundit, që kanë vënë në rrezik jetën e policisë dhe qytetarëve.
Apel për prindërit: Tregoni kujdes që të mos lejojnë fëmijët e tyre të mitur të përfshihen në situata ku ushtrohet dhunë dhe në këto protesta. Qytetarët të shmangen nga çdo akt dhune dhe nga çdo person që ushtron dhunë. Policia mbetet e vendosur që të garantojë të drejtën e protestës ligjore dhe do të zbatojë parimin e proporcionalitetit për këdo që ushtron dhunë, që cenon pronën publike dhe private.
Dhuna nuk justifikohet dhe as do të mbrohet në emër të kësaj të drejte. Të nderuar gazetarë, Policia e Shtetit e konsideron median një partner të rëndësishëm. Gazetarët, operatorët, fotoreporterët kryejnë një mision fisnik. Është e domosdoshme të forcohet koordinimi në terren ndërmjet shërbimeve policore dhe punonjësve të medias, që të ushtrohet veprimtaria e gazetarëve dhe të sigurohet jeta e personave të pranishëm në protestë“, tha Hita.

