Ushtruesja e detyrës së presidentes, Albulena Haxhiu, ka thënë se Bekim Sejdiu mund të rikthehet në garën për president të Kosovës nëse gjashtë deputetët e LDK-së që nuk e kanë mbështetur kandidaturën e tij garantojnë se do të qëndrojnë në sallën e Kuvendit gjatë procesit të votimit, raporton Ekonomia Online.
Haxhiu ka deklaruar se Sejdiu është tërhequr nga gara për shkak të mungesës së mbështetjes së këtyre deputetëve, ndërsa ka theksuar se marrëveshja mes Vetëvendosjes dhe LDK-së për kandidaturën e tij nuk është prishur.
“Sa i përket kandidatit për president, ai është zoti Bekim Sejdiu. Ai është tërhequr prej garës sepse nuk e ka pasur mbështetjen e 6 prej deputetëve të LDK-së nuk e kanë mbështetur. Ne nuk jemi tërhequr nga marrëveshja. Unë jam e bindur që në qoftë se do të ketë, si me thënë, deklarim që do të qëndrojnë në sallë, atëherë jam e bindur që zoti Sejdiu do të rikthehet. Ai është tërhequr për shkak se nuk i ka pasur votat”, tha ajo.
Haxhiu ka thënë se rikthimi i Sejdiut në garë do të ishte i mundur nëse sigurohet mbështetja e nevojshme në Kuvend, ndërsa ka vlerësuar integritetin profesional dhe moral të kandidatit.
“Unë mendoj që në qoftë se ka garanci që janë 2/3-at në Kuvend, mendoj që do të rikthehet. Unë kam vlerësuar që ai ka pranuar që të jetë kandidat i përbashkët i Vetëvendosjes dhe i LDK-së dhe çmoj integritetin e lartë profesional dhe moral që zoti Sejdiu ka shërbyer me dinjitet kudo që ka qenë, prandaj edhe kam konsideruar që një figurë e tillë është pikërisht për këtë pozicion të presidentit”, tha ajo.
Ndërkaq, Haxhiu ka thënë se negociatat për tejkalimin e situatës politike i drejton kryeministri në detyrë dhe kryetari i Vetëvendosjes, Albin Kurti, ndërsa ka bërë thirrje për qasje serioze dhe konstruktive nga partitë politike.
“Megjithatë, çështjen e negociatave e drejton Kryeministri Kurti, kryetari i Vetëvendosjes, dhe pikërisht nga ato takime mund të dalin çështje të cilat janë të rëndësishme për të ecur para dhe për të mos e çuar vendin në zgjedhje të parakohshme. Më besoni që gabimi më i madh që do të mund ta bënim tani për tani, sidomos pas vendimit të Hagës, do të ishte që ta çonim vendin në zgjedhje të parakohshme, prandaj unë ftoj partitë politike për qasje serioze dhe konstruktivitet në këtë drejtim”, tha ajo.
përcjell Zhurnal.mk .

