Ministri Ferit Hoxha prezantoi në Komisionin Parlamentar për Evropën dhe Punët e Jashtme, projekt buxhetin 2027, që sipas tij është një investim në kapacitetin ndërkombëtar të Shqipërisë dhe në përgatitjen e saj si vend i ardhshëm anëtar i Bashkimit Europian.
“Viti 2027 ka për ne një peshë të veçantë. Shqipëria synon përmbylljen e negociatave të anëtarësimit në Bashkimin Europian. Kjo kërkon që ambicies politike t’i përgjigjen kapacitetet e shtetit dhe që diplomacia shqiptare, MEPJ, shërbimi i jashtëm të jetë i përgatitur për fazën e re në të cilën po hyn vendi. Pra, nuk po propozojmë thjesht një buxhet për funksionimin e Ministrisë. Po propozojmë një investim në kapacitetin ndërkombëtar të Shqipërisë dhe në përgatitjen e saj si vend i ardhshëm anëtar i Bashkimit Europian”, deklaroi Hoxha para deputetëve të Kuvenditt ë Shqipërisë.
Për këtë arsye, tha Ministri i Jashtëm, projektbuxheti mbështet në mënyrë të veçantë forcimin e misionit tonë pranë Bashkimit Europian dhe, në tërësi, fuqizimin e rrjetit diplomatik.
Hoxha prezantoi në Komision prioritetet e Ministrisë së Jashtme për vitin 2027:
* Integrimi europian dhe përmbyllja e negociatave të anëtarësimit në BE.
Objektivi është përmbushja e detyrimeve të mbetura dhe mbyllja e kapitujve negociues gjatë vitit 2027, forcimi i koordinimit ndërinstitucional dhe sigurimi i mbështetjes së shteteve anëtare, me synim anëtarësimin e plotë Brenda kësaj dekade.
* Siguria euroatlantike dhe roli i Shqipërisë në NATO.
Do të vijojmë kontributin aktiv në sigurinë kolektive, misionet dhe operacionet e Aleancës, bashkëpunimin në mbrojtje, inteligjencë dhe siguri kibernetike, si dhe përballimin e kërcënimeve hibride dhe dezinformimit, në bashkërendim të ngushtë me aleatët tanë.
– Shqiptarët në rajon dhe stabiliteti i Ballkanit Perëndimor.
Do të forcojmë koordinimin me Kosovën dhe angazhimin për të drejtat e shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut, Mal të Zi dhe Luginën e Preshevës, krahas mbështetjes për integrimin europian të rajonit, projektet ndërkufitare dhe nismave rajonale, përfshirë Procesin e Berlinit.
* Partneritetet strategjike dhe marrëdhëniet dypalëshe.
Do të thellojmë bashkëpunimin me SHBA-në, Italinë, Gjermaninë, Francën, Mbretërinë e Bashkuar dhe Turqinë; si dhe dialogun e bashkëpunimin me Greqinë dhe partnerë të tjerë, përmes vizitave të nivelit të lartë, konsultimeve politike dhe marrëveshjeve sektoriale.
* Diplomacia shumëpalëshe dhe profili ndërkombëtar i Shqipërisë.
Do të vijojmë angazhimin aktiv në OKB, OSBE dhe Këshillin e Europës për sigurinë, të drejtat e njeriut dhe zhvillimin e qëndrueshëm. Do të promovojmë nismat shqiptare, interesin kombëtar, kandidaturat e Shqipërisë dhe ekspertëve shqiptarë, si dhe diplomacinë publike dhe digjitale.
* Diplomacia ekonomike.
Diplomacia ekonomike nuk është më një item në planet tona, ajo duhet të prodhojë edhe mundësi ekonomike. Prandaj synojmë më shumë angazhim për tërheqjen e investimeve të huaja, promovimin e eksporteve dhe turizmit, mbështetjen e bizneseve shqiptare në tregjet e huaja dhe aktivizimin e potencialit ekonomik të diasporës.
* Diaspora dhe ruajtja e identitetit kombëtar.
Do të zbatojmë Strategjinë Kombëtare të Diasporës 2026–2030, duke forcuar marrëdhëniet arsimore, kulturore dhe ekonomike me bashkatdhetarët tanë dhe duke zgjeruar mbështetjen për mësimin e gjuhës shqipe, përfshirë nismën e re “Mësues për Italinë”.
* Shërbimet konsullore dhe prania diplomatike virtuale.
Synojmë modernizimin e shërbimeve për qytetarët jashtë vendit, përmirësimin e aksesit online dhe zhvillimin e një asistenti virtual për informacion dhe orientim konsullor, 24 orë në ditë, 7 ditë në javë.
* Fuqizimi institucional i Shërbimit të Jashtëm.
Do të zbatojmë kuadrin e ri ligjor, do të profesionalizojmë më tej karrierën diplomatike, do të forcojmë Akademinë Diplomatike dhe rrjetin e përfaqësive, si dhe do të ngremë Agjencinë e Bashkëpunimit Ndërkombëtar dhe Ndihmës Humanitare.
Projektbuxheti i MEPJ për vitin 2027 arrin shifrën rekord prej 3.9 miliardë lekësh, ose rreth 40 milionë euro.

