Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, ka thënë se do t’i drejtohet Kongresit të ri amerikan për më shumë presion ndaj Rusisë, nëse presidenti Donald Trump nuk arrin ta bindë Vladimir Putinin ta përfundojë luftën deri në fund të vitit.
Në një intervistë për “Bloomberg”, Zelensky tha se, nëse nuk arrihet një paqe e pranueshme, Kievi do të kërkojë një paketë të fortë ndihme ushtarake dhe sanksione më të ashpra ndaj Moskës. Sipas tij, mbështetja për Ukrainën dhe sanksionet duhet të jenë të një niveli që t’i japë Rusisë një sinjal të qartë.
Presidenti ukrainas tha se të dërguarit amerikanë, Jared Kushner dhe Steve Witkoff, po ngulin këmbë për një marrëveshje sa më shpejt, mundësisht në janar. Ai paralajmëroi se Ukraina mund të përballet me kërkesa për koncesione të mëdha dhe se Putini nuk ka treguar gatishmëri për t’i dhënë fund luftës.
“Edhe ne duam shumë paqe, por jo vetëm në kurriz të Ukrainës”, u shpreh Zelensky, duke theksuar se Kievi e refuzon një marrëveshje me koncesione të njëanshme.
Kongresi i ri amerikan fillon punën në janar, pas zgjedhjeve të mesmandatit të nëntorit, ku demokratët fituan shumicën në Dhomën e Përfaqësuesve.

