Një shtetas turk, në kërkim ndërkombëtar për vrasje në Maqedoninë e Veriut u arrestua në Morinë, në përpjekje për të hyrë në Shqipëri. Në bashkëpunim me Interpol Tiranën, Policia Kufitare mundësoi identifikimin dhe kapjen e 31-vjeçarit me inicialet B.K., banues në Turqi.
Gjatë verifikimeve rezultoi se ndaj tij ishte lëshuar vendim para tri ditëve, nga Zyra e Prokurorisë Publike në Shkup.
Pas konfirmimit të të dhënave, specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve të Rënda në Drejtorinë Vendore të Policisë Kukës kryen procedurat për arrestimin, me qëllim ekstradimin drejt Maqedonisë së Veriut.
Ndërkohë, Interpol Tirana, në bashkëpunim me homologët maqedonas, po vijon procedurat për ekstradimin e 31-vjeçarit, i cili do t’u dorëzohet autoriteteve të vendit ku kërkohet, për t’u përballur me drejtësinë.

