Seanca plenare e kësaj të enjteje nisi me tensione në Kuvendin e Shqipërisë. Deputetët demokratë protestuan që në fillim të punimeve, duke goditur tavolinat dhe bllokuar foltoren, ndërsa kanë në duar pankarta me mbishkrimin “Me studentët”.
Kur kryetari i Kuvendit, Niko Peleshi, nisi të lexojë procesverbalin e seancës së kaluar, deputetët demokratë filluan të godisnin tavolinat në shenjë proteste. Më pas, ata u ngritën në këmbë dhe bllokuan foltoren.
Në rendin e ditës së kësaj seance janë përfshirë një sërë çështjesh që lidhen me ekonominë, financat, klimën e biznesit dhe mbrojtjen e konsumatorit. Deputetët pritet të shqyrtojnë projektligjin “Për Bankën e Shqipërisë”, atë “Për Këshillin Fiskal të Republikës së Shqipërisë”, si dhe draftin për mbrojtjen e konsumatorit.
Një tjetër çështje e parashikuar është interpelanca me ministrin e Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Blendi Gonxhja, e kërkuar nga deputetja Ina Zhupa. Gjatë seancës do të diskutohet gjithashtu akti normativ për një shtesë në ligjin për akcizat, në kuadër të çështjeve me karakter ekonomik dhe financiar.
Në fokus të diskutimeve do të jenë edhe ndryshimet në legjislacionin që rregullon veprimtarinë e bizneseve dhe funksionimin e shoqërive tregtare. Ndërkaq, mbetet për t’u parë si do të vijojë seanca plenare pas tensioneve të krijuara në nisje të saj dhe nëse protestat e deputetëve të opozitës do të ndikojnë në zhvillimin e punimeve parlamentare.

