Kryeministri Edi Rama tha se Shqipëria ka bërë përparim të madh në turizëm, duke tejkaluar shifrën e 12 milionë vizitorëve të huaj vitet e fundit. Sipas tij, një shifër e tillë ishte e paimagjinueshme deri para pesë vitesh.
Rama tha se Shqipëria ka bërë hapa të rëndësishëm, por ende mbetet pas vendeve të tjera evropiane dhe fqinjëve të saj për sa i përket standardeve turistike.
“Deri para pesë vitesh kjo që po shohim sot do të ishte e paimagjinueshme. Kemi tejkaluar 12 milionët, por tani shqetësimi ynë është rritja e cilësisë së turizmit”, tha Rama.
Ai paralajmëroi se rritja e numrit të turistëve krijon presion mbi infrastrukturën, shërbimet, mjedisin dhe komunitetet lokale.
Rama theksoi rëndësinë e investimeve dhe tërheqjes së markave të mëdha ndërkombëtare, duke vlerësuar se ato mund të sjellin më shumë të ardhura dhe ta transformojnë më tej sektorin.
“Sigurisht që kemi ende probleme, por e dimë se jemi në rrugën e duhur. Duhet të vazhdojmë të ëndërrojmë për më shumë dhe të punojmë për të ardhmen”, u shpreh ai.

