Komisioni Evropian (KE) ishte shënjestër e një sulmi kibernetik, gjatë të cilit hakerët mund të kenë vjedhur një sasi të madhe të të dhënave personale, përcjell TV21. Edhe pse Komisioni beson se ka arritur të mbrohet nga një pjesë e madhe e sulmit, përmasat e vërteta të dëmit ende nuk dihen, raportoi “Politico”, duke iu referuar “Reuters”.
Për shkak të sulmit është thirrur një mbledhje urgjente e Shtabit të Krizave të brendshme të Komisionit.
“Komisioni Evropian ndërmori hapat e nevojshëm pas zbulimit të fushatës kibernetike. Janë sulmuar disa sisteme dhe, në përputhje me praktikën e zakonshme, kemi informuar të gjitha palët e prekura”, deklaroi zëdhënësi i KE-së, Thomas Regnier.
Incidenti kibernetik ka zgjatur rreth 10 ditë, gjatë të cilave disa sisteme janë çaktivizuar.
Sipas “Politico”, bëhet fjalë për sistemet e menaxhimit të personelit, llogaritjes së pagave dhe evidencës së orarit të punës, si dhe sistemin për rimbursimin e shpenzimeve të trajtimit mjekësor.

