Në zgjedhjet e fundit për Këshillin Kombëtar Shqiptar (KKSH), të mbajtura më 13 nëntor 2022, fituese doli Partia për Veprim Demokratik (PVD), me bartës të listës Ragmi Mustafin. Megjithatë, ndonëse ishte subjekti më i votuar nga shqiptarët e Luginës së Preshevës, PVD-ja nuk arriti ta siguronte drejtimin e institucionit, pasi partitë “aleate” të saj nuk e mbështetën kandidaturën e Mustafit për kryetar.
Sipas rezultateve përfundimtare të Komisionit Republikan të Zgjedhjeve (RIK), të miratuara më 17 nëntor 2022, PVD-ja fitoi 4.155 vota (30,02%) dhe pesë mandate, duke u renditur e para në zgjedhje.
Alternativa për Ndryshim (APN), me bartës të listës Levent Qazimin, mori 3.824 vota (27,63%) dhe pesë mandate. Lëvizja e Progresit Demokratik (LPD), me Nevzad Lutfiun, siguroi 2.289 vota (16,54%) dhe dy mandate, ndërsa Partia Demokratike (PD) e Nagip Arifit mori 1.762 vota (12,73%) dhe dy mandate. Partia Demokratike Shqiptare (PDSH) e Ragmi Mustafës fitoi 1.032 vota (7,46%) dhe një mandat.
Megjithëse PVD-ja kishte fituar më së shumti vota, partitë “aleate” të saj – PDSH-ja në KKSH, si dhe PD-ja e LPD-ja në pushtetin lokal të Bujanocit dhe për zgjedhjet parlamentare – nuk ia njohën politikisht përparësinë partisë fituese për drejtimin e institucionit të KKSH-ës.
Madje, LPD-ja dhe kandidati i saj, Nevzad Lutfiu, ndonëse kjo parti ishte renditur vetëm e treta në zgjedhje, këmbëngulën për marrjen e drejtimit të KKSH-së. Përplasjet politike e çuan institucionin deri në shpërndarjen e përbërjes së tij dhe vendosjen e një organi të përkohshëm drejtues.
Kështu, gara për postin e kryetarit, ku LPD-ja me vetëm dy mandate kërkonte drejtimin përballë PVD-së me pesë mandate, e futi institucionin përfaqësues kombëtar të shqiptarëve në Serbi në një krizë të thellë.
Për të zhbllokuar situatën dhe për t’i hapur rrugë krijimit të një shumice të re shqiptare, Ragmi Mustafi më vonë hoqi dorë nga pretendimi për drejtimin e KKSH-së, pavarësisht se partia e tij kishte dalë fituese e zgjedhjeve.
Në zgjedhjet e përsëritura përmes Kuvendit të Elektorëve, të mbajtura më 7 maj 2023, lista e përbashkët e mbështetur nga PVD-ja, PD-ja, LPD-ja dhe PDSH-ja siguroi 320 vota të elektorëve dhe dhjetë mandate, kundrejt 187 votave dhe pesë mandateve të APN-së.
Megjithatë, në bazë të marrëveshjes politike ndërmjet partive, drejtimi i KKSH-së iu besua Nevzad Lutfiut nga LPD-ja, subjektit që në zgjedhjet e drejtpërdrejta të vitit 2022 ishte renditur i treti.
Paradoksi politik i kësaj historie është se partia që mori besimin më të madh të qytetarëve u detyrua të tërhiqej nga drejtimi i institucionit, ndërsa një parti me dukshëm më pak vota arriti ta merrte postin e kryetarit.
Në vend që fitorja e PVD-së të shërbente si bazë për krijimin e një shumice stabile, ambiciet dhe rivalitetet ndërmjet partive shqiptare e çuan KKSH-në në krizë institucionale.
Rasti i vitit 2022 mbetet një shembull i mënyrës se si marrëveshjet dhe interesat partiake e individuale mund të mbizotërojnë mbi peshën politike të votës qytetare. Ndonëse rezultati zgjedhor nuk ia garantonte automatikisht PVD-së postin e kryetarit, “aleatët” e saj zgjodhën të mos e mbështesnin kandidatin e listës fituese, duke ia lënë drejtimin e KKSH-së një subjekti që kishte përfunduar në vendin e tretë./LUGINALAJMI/

