Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka shpjeguar arsyet pse opozita u angazhua në procesin e reformës territoriale, duke thënë se vendimi erdhi si pasojë e kërkesave të qytetarëve dhe rekomandimeve të Komisionit Evropian.
Berisha, në një takim me aleatët politikë deklaroi se mazhoranca po ndjek një projekt që, sipas tij, synon përqendrimin e mëtejshëm të pushtetit vendor.
Ai tha se PD ka paraqitur një draft me 100 bashki, ndërsa akuzoi qeverinë se ndërpreu konsultimet dhe paraqiti një variant me 46 bashki.
Berisha e cilësoi projektin e mazhorancës si në kundërshtim me Kushtetutën dhe Kartën Evropiane të Vetëqeverisjes Lokale, duke theksuar rëndësinë e konsultimit me qytetarët.
“Ne u angazhuam në proces jo se nuk ishim të sigurt që Edi Rama nuk do angazhohej në një reformë të vërtetë, por ua themi këtu, dy qenë shkaqet për të cilat ne u angazhuam.
Së pari, ka pasur shumë kërkesa nga qytetarët që ne të mos braktisim këtë reformë dhe t’u lëmë socialistëve duar të lira.
Së dyti, reforma territoriale është një nga dy kërkesat e Komisionit Evropian në raportin e tetorit që kaloi, se tani po vjen raporti i ri.
Nuk kishte diskutim që Edi Rama gjithçka do ndjekë dhe ato mandate të grabitura, ato 83 mandate krimi, ai do t’i shfrytëzojë për një përqendrim të mëtejshëm të pushtetit vendor në duart e tij.
Ndërprenë papritmas, siç e dini, jashtë të gjitha procedurave, sepse po vazhdonin konsultimet, dhe nuk kishin përfunduar konsultimet, megjithatë ai u tërhoq, paraqiti draftin me 46 bashki duke hequr edhe 15 të tjera, që të gjitha për qëllimet e tij elektorale.
Ne paraqitëm një draft prej 100 bashkish, duke lënë të hapur dhe mundësinë e krijimit të njësive të tjera na varësi nga plotësimi i kritereve për ekzistencën e tyre.
Sigurisht Edi Rama vazhdoi me projektin e tij.
Është në kundërshtim me Kushtetutën dhe kartën e Kongresit të Autoriteteve Rajonale dhe Lokale të Këshillit të Evropës, të cilat kërkojnë që këto ndryshime të bëhen me konsultë dhe referendum.
Por siç e dini nuk ka asnjë shans që ky të përfillë referendumin apo rekomandimet”, tha Berisha.
/vizionplus.tv

