Një grup kriminal i organizuar që vepronte në Maqedoninë e Veriut dhe në disa vende evropiane është shkatërruar pas një hetimi më shumë se njëvjeçar, njoftoi ministri i Punëve të Brendshme, Pançe Toshkovski, përcjell TV21.
Në Prilep janë kryer rreth 30 bastisje, ndërsa për 21 persona pritet të ngrihen kallëzime penale. Sipas Toshkovskit, grupi dyshohet se ka kryer vjedhje të rënda në Greqi dhe ka vepruar edhe në Spanjë, ndërsa njëri nga të dyshuarit, i arratisur nga arresti shtëpiak në Spanjë, është arrestuar në Maqedoninë e Veriut.
Gjatë aksionit janë sekuestruar mbi 120 mijë euro para të gatshme, rreth dhjetë automjete luksoze, si dhe janë kryer bastisje te disa policë që dyshohet se u kanë dhënë informacione anëtarëve të grupit. Hetimi përfshin edhe dyshime për pastrim parash dhe transaksione me prona në Serbi.

