Sali Berisha paralajmëroi votë kundër paketës së re të Kodit të Procedurës Penale që propozon kufizimin e paraburgimit dhe kontroll gjyqësor mbi telefonat dhe përgjimet.
Nga Strasburgu, kryetari i Partisë Demokratike kërkoi që propozimet të mos hidhen në votim pa marrë më parë dritën jeshile nga Komisioni i Venecias.
“Është një mbështetje e stërfuqishme për vetë Ramën, familjen, qeverinë e tij dhe botën e krimit në Shqipëri. Unë kërkova që kjo paketë të mos votohet në asnjë mënyrë, kërkova që kjo paketë t’i kalojë për ekspertizë Komisionit të Venecias. Shqipëria nuk ka nevojë të zbusë ligjet në luftën kundër korrupsionit dhe kriminalitetit, përkundrazi, ka nevojë t’i forcojë”, tha Berisha.
Sali Berisha sulmoi ashpër Edi Ramën, duke e akuzuar se atë që s’e bën dot me presion, synon ta bëjë me ligj.
“Me këtë paketë, përveçse përjashton dënimet me burg në masat nën pesë, nën pesë vite dënim, Edi Rama kërkon me çdo kusht të zhvlerësojë provat me ligj, të zhvlerësojë provat që janë të, të gjetura në aparatet celulare, të zhvlerësojë provat të cilat janë të gjetura në, në vende të ndryshme. Pra, atë që, atë që s’arritën ta bëjnë me presione mbi drejtësinë, tani kërkojnë ta bëjnë me ligj”, u shpreh lideri i PD.
Qëndrimet e tij Berisha i dha pas takimit me Sekretaren e Përgjithshme të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës në Strasburg, duke pretenduar se edhe Këshilli i Europës nuk i mbështet ndryshimet në Kodin e Procedurës Penale.

