Kreditë e shpejta: Mbi 26 mijë qytetarëve do t’u kthehen 140 milionë denarë të arkëtuar në mënyrë të paligjshme
Mbi 26.000 qytetarë do të përfitojnë nga kthimi i më shumë se 140 milionë denarëve (rreth 2,3 milionë euro), të cilat u janë arkëtuar në mënyrë të paligjshme nga kompanitë e kredive të shpejta, njoftoi zëdhënësja e Qeverisë, Marija Miteva.
Pas kontrolleve të kryera në të 27 kompanitë financiare të licencuara, Inspektorati Shtetëror i Tregut ka marrë vendime që i detyrojnë kompanitë t’ua kthejnë qytetarëve paratë e arkëtuara në mënyrë të paligjshme.
Bëhet fjalë për shpenzime shtesë që qytetarët kanë paguar gjatë marrjes së paralajmërimeve për pagesë dhe shlyerjes së kredive.
Ministri i Ekonomisë dhe Punës, Besar Durmishi, dhe drejtori i Inspektoratit, Vllatko Stojkoski, paralajmëruan informacione më të hollësishme lidhur me parregullsitë e konstatuara dhe masat e ndërmarra.
Ende nuk është bërë e ditur nëse qytetarët duhet të parashtrojnë kërkesë për kthimin e parave apo rimbursimi do të bëhet automatikisht.

