Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, ka reaguar pas vendimit për përjashtimin e Elisa Spiropalit nga grupi parlamentar i PS-së.
Në një prononcim për mediat, Balla tha se vendimmarrja është marrë në përputhje me statutin dhe rregulloren e grupit, ndërsa shprehu keqardhje që është arritur deri në këtë pikë.
Pas 9 vitesh në grupin parlamentar, mua më vjen keq që duhet të shkonim në këtë vendimmarrje, por për këtë legjislaturë kemi një vendim që është fjalë për fjalë sipas statutit dhe rregullores.
Ai bëri të ditur se në fund të mbledhjes është diskutuar edhe për organizimin dhe disiplinën e brendshme të Partisë Socialiste, çështje për të cilat theksoi se nuk do të diskutojë me mediat.
Balla njoftoi gjithashtu se dokumentacioni lidhur me vendimmarrjen e Asamblesë dhe zbatimin e rregullores së grupit do t’i vihet në dispozicion Kuvendit.

