Kuvendi i Kosovës ka miratuar në parim Projektbuxhetin për vitin 2027, në vlerë prej 4.27 miliardë eurosh, me 61 vota për. Miratimi erdhi pas një debati maratonik mes pozitës dhe opozitës, i cili zgjati deri pas mesnatës dhe u shoqërua me përplasje politike, kritika dhe madje ndërprerje të energjisë elektrike në sallën e Kuvendit.
Kryeministri Albin Kurti, gjatë prezantimit të projektbuxhetit, paralajmëroi pagesën e pagës së 13-të për punonjësit e sektorit publik, si dhe rritjen e koeficientit të pagave në 120 euro nga 1 korriku 2027.
Projektbuxheti parasheh gjithashtu rritjen e shtesave për fëmijë për 25 për qind nga 1 janari 2027, si pjesë e planit për dyfishimin e tyre deri në vitin 2030. Për investime kapitale janë paraparë mbi një miliard euro, ndërsa 908 milionë euro do të ndahen për komunat.
Kurti njoftoi edhe për planifikimin e 120 vendeve të reja për profesionistë shëndetësorë, financimin e barnave esenciale dhe nismën për themelimin e një kompanie kombëtare ajrore.
Opozita: Buxheti nuk garanton zhvillim ekonomik
Projektbuxheti u kundërshtua nga partitë opozitare, të cilat kritikuan orientimin e Qeverisë drejt ndihmave sociale dhe kërkuan më shumë investime në sektorët strategjikë.
Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, vlerësoi se ndihmat sociale nuk mund ta zëvendësojnë zhvillimin ekonomik dhe kërkoi investime më të mëdha në energji, arsim, teknologji dhe infrastrukturë.
Nga PDK-ja, deputeti Mërgim Lushtaku deklaroi se, pavarësisht rritjes së buxhetit, qytetarët po përballen me varfërim. Ndërsa deputetja e AAK-së, Teuta Haxhiu, e cilësoi projektbuxhetin si konsumues dhe jo zhvillimor.
Përplasje mes Muratit dhe Bajramit për tatimet
Debati u shoqërua edhe me përplasje të drejtpërdrejta mes ministrit të Financave, Hekuran Murati, dhe deputetes së LDK-së, Hykmete Bajrami.
Bajrami kritikoi strukturën e të hyrave buxhetore, duke theksuar se pjesa më e madhe sigurohet nga tatimet mbi konsumin, përkatësisht TVSH-ja, akciza dhe doganat.
Në kundërpërgjigje, Murati tha se të hyrat nga tatimet direkte janë rritur për 136 për qind pa ndryshuar normat tatimore. Përplasja vazhdoi me akuza të ndërsjella lidhur me politikat fiskale dhe mënyrën e shpërndarjes së buxhetit.
Seanca u ndërpre edhe për shkak të mungesës së rrymës
Gjatë debatit të së enjtes në mbrëmje, punimet e Kuvendit u ndërprenë për disa minuta pasi në sallë u ndërpre energjia elektrike. Pas rikthimit të saj, seanca vazhdoi deri pas mesnatës.
Në fund, projektbuxheti prej 4.27 miliardë eurosh mori mbështetjen e 61 deputetëve, pa vota kundër apo abstenime. Ai tashmë do të vazhdojë procedurat parlamentare deri në shqyrtimin dhe miratimin përfundimtar.(INA)

