Ministrisë së Mbrojtjes së Kosovës i është dhuruar roboti i parë tokësor pa ekuipazh (UGV), i prodhuar në Kosovë nga kompania STRIDAR.
Lajmin e ka bërë të ditur ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, i cili ka njoftuar se roboti me numër serik SR-4-001-KS i është dhuruar Ministrisë për nevojat e Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK).
Maqedonci e ka cilësuar këtë zhvillim si një hap të rëndësishëm për industrinë vendore të mbrojtjes dhe avancimin e kapaciteteve teknologjike në këtë fushë.
Sipas tij, UGV-të janë mjete robotike pa operator, të cilat mund të kontrollohen nga distanca ose të kryejnë detyra të caktuara në mënyrë autonome.
Varësisht nga modeli dhe konfigurimi, këto sisteme mund të përdoren për vëzhgim, transport të pajisjeve dhe mbështetje në zona me rrezik. Ato mund të pajisen edhe me sisteme armatimi të kontrolluara nga distanca.
Ministri ka theksuar se zhvillimi i sistemeve të tilla dëshmon potencialin e teknologjive me përdorim të dyfishtë, të cilat mund t’u shërbejnë si nevojave të mbrojtjes, ashtu edhe atyre civile.
Marrëveshjen për donacionin, Maqedonci ka bërë të ditur se e ka nënshkruar së bashku me përfaqësuesin e kompanisë STRIDAR, Nils Alstad.
Në fund, ai ka falënderuar kompaninë për këtë kontribut dhe për angazhimin në zhvillimin e kapaciteteve vendore.

