Organizatorët e protestave kundër aktgjykimit të Hagës kanë paralajmëruar se do të kthehen në shesh nëse ligji i ri për Dhomat e Specializuara nuk shkon në Kuvend javën e ardhshme.
Përfaqësuesi i platformës “Jo në emrin tim”, Çlirim Haziri, tha të enjten mbrëma në emisionin “Debat Plus” të RTV Dukagjinit se e mirëpret dakordimin mes kryeministrit Albin Kurti dhe ushtrueses së detyrës së kryetares së PDK-së, Vlora Çitaku. Megjithatë, ai shtoi se qytetarët presin që zotimi të konkretizohet. Nëse kjo nuk ndodh, tha Haziri, “do shfrytëzojmë të drejtën tonë për protestë”.
Një paralajmërim të ngjashëm e dha edhe Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së, e cila shprehu shqetësim për zhvillimet rreth ligjit dhe tha se do të protestojë nëse procesi vazhdon të zvarritet.
Kurti dhe Çitaku u pajtuan të enjten që ligji i miratuar në tetor dhe i kthyer nga presidentja të mos rivotohet, por të hartohet një projektligj i ri. Drafti pritet javën e ardhshme, bashkë me strategjinë shtetërore për procesin e apelit.
Platforma “Jo në emrin tim” organizoi 21 net protestash pas aktgjykimit të 16 shtatorit, me të cilin katër ish-drejtuesit e UÇK-së u dënuan në shkallë të parë me gjithsej 81 vjet burgim. Protestat u ndalën natën kur Kuvendi i miratoi ndryshimet e tetorit.

