Në një resort në Gjirin e Lalzit, sot Partia Socialiste mbledh Asamblenë Kombëtare, në një moment të rëndësishëm politik për maxhorancën. Në fokus, përgatitjet për zgjedhjet vendore të 9 majit 2027, si edhe zhvillimet brenda forcës politike në pushtet.
Kryeministri Edi Rama, njëherazi kryetar i PS-së, pritet të përcaktojë drejtimet kryesore të organizimit elektoral e të japë sinjalet e para për mënyrën si do të përzgjidhen kandidatët për kryetarë bashkie në të 46 njësitë vendore.

Një nga pritshmëritë kryesore lidhet me mundësinë që Rama të konfirmojë emra konkretë që mund të hyjnë në garën për drejtimin e bashkive.
Përtej përgatitjeve elektorale, Asambleja pritet të shërbejë edhe si një moment ku mund të jepen sinjale për ndryshime të mundshme në kabinetin qeveritar.
Në kushtet e protestave të muajve të fundit, nuk përjashtohet mundësia që kryeministri të shqyrtojë lëvizje në përbërjen e ekzekutivit.
Sekretari i Përgjithshëm i PS-së, Blendi Klosi, ka bërë të ditur se do të diskutohet edhe hapja e një platforme, që qytetarë të interesuar, të mund të aplikojnë për të kontribuar në qeverisjen vendore e përfaqësimin në këshillat bashkiakë.

