Kryetari i Lëvizjes ZNAM, Maksim Dimitrievski, ka paralajmëruar se do të kërkojë takim liderësh me partnerët e koalicionit qeverisës për të përcaktuar qëndrimet e partisë lidhur me çështjen e gjuhës në provimin e jurisprudencës.
Në një intervistë për televizionin Sitel, ai theksoi se provimi i jurisprudencës duhet të mbahet vetëm në gjuhën maqedonase, duke kundërshtuar çdo marrëveshje politike për këtë çështje.
Dimitrievski foli edhe për ndryshimet kushtetuese dhe integrimin evropian, duke përsëritur qëndrimin e ZNAM-it se amendamentet duhet të hyjnë në fuqi me veprim të shtyrë.
Ai tha se Maqedonia nuk duhet të bëjë lëshime të reja ndaj Bullgarisë pa reciprocitet, duke kërkuar që pala bullgare të respektojë të drejtat e maqedonasve dhe të zbatojë të paktën një nga vendimet e Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut në Strasburg.
„Nuk mund të bëjmë vazhdimisht lëshime, ndërsa nga ana tjetër të mos ketë asnjë hap drejt respektimit të të drejtave të maqedonasve. Duhet të ketë reciprocitet“, deklaroi Dimitrievski.
Ai përsëriti se ZNAM nuk do të heqë dorë nga qëndrimet e saj për gjuhën maqedonase, identitetin dhe rendin kushtetues të shtetit./skopje1.mi

