Prokuroria e Posaçme dyshon se biznesmeni Ergys Agasi kishte vënë në dispozicion një rrjet ndërkombëtar në shërbim të interesave të grupit kriminal që drejtohej prej tij. Komunikimet e Ergys Agasit me dy shtetas izraelitë janë përdorur nga SPAK për të argumentuar rrezikun e arratisjes së ish-drejtoreshës së SHISH, Vlora Hyseni, nëse ajo do të lihej e lirë dhe jo me masë arrest në shtëpi që është tani në fuqi.
Burimet thanë se Agasi u tregonte dy izraelitëve për raportin e afërt me Hysenin. Në një mesazh të dërguar më 22 gusht, shtetasit izraelit të regjistruar në telefon si Shalev Israel, Agasi i shkruante: “E kam shoqe të ngushtë shefen e shërbimit sekret.”
Ndërsa, në një tjetër komunikim më 6 gusht, përmes aplikacionit “Signal”, Agasi i shkruante izraelitit Srulik Einhorn Koces: “Jemi me fat që këtu e kanë kapur vetë amerikanët dhe e dinë sjelljen e tij dhe diçka tjetër, drejtoresha e shërbimit sekret do të takohet vetë me të dhe do t’i flasë për këtë punë, duke i sjellë prova që prokurori e ka bërë këtë për interesa të tjera.”
Për prokurorinë, ky rrjet mund t’i siguronte Hysenit mundësi arratisje apo fshehjeje.
Kryekamerieri Embro Sulejmani informonte Agasin për hyrje-daljet te rezidenca qeveritare në Durrës
Embro Sulejmani, i cili punonte si kryekamerier në një lokal pranë rezidencës qeveritare, rezulton se e ka lëvizur Ergys Agasin me makinë gjatë kohës që ishte në arrati. Pak ditë para arrestimit të Agasit, Sulejmani koordinonte me të vendndodhjen, orarin dhe mënyrën e lëvizjes në Durrës.
Sulejmani dyshohet se kontrollonte edhe hyrje-daljet në zonën e Vilave Qeveritare në Durrës, ku Agasi zotëron një vilë, zonë e cila ruhet nga Garda e Republikës. Sipas hetuesve, komunikimet mes tyre tregojnë se ndihma ndaj Agasit ishte e organizuar dhe e vazhdueshme.
Burime thonë se në një bisedë pak orë pas arrestimit të Agasit, Sulejmani shprehte lehtësim që nuk ishte kapur bashkë me të. Për hetuesit, në këtë komunikim ai pranonte tërthorazi se e kishte transportuar Agasin gjatë arratisë dhe për këtë arsye ndaj tij është ngritur akuza për përkrahje të autorit të krimit.

