Banka Popullore ka publikuar të dhënat për transaksionet e Alta Bankës në Manastir, duke konfirmuar se gjatë vitit 2025 dhe deri në fund të tetorit 2026 janë transferuar gjithsej 12.5 milionë euro drejt Serbisë, ndërsa nga ky shtet kanë hyrë 8.4 milionë euro.
Sipas guvernatorit Trajko Sllaveski, gjatë kësaj periudhe nuk janë regjistruar transferta financiare as drejt Rusisë dhe as nga Rusia. Banka Popullore thekson se transaksionet me Serbinë lidhen me aktivitetin e rregullt të klientëve të bankës.
Ndërkohë, Alta Banka në Manastir ka filluar pagesën e parave të gatshme për klientët që nuk posedojnë kartela bankare. Ata mund të tërheqin deri në 20.000 denarë brenda dy javësh, me përparësi pensionistët dhe përfituesit e ndihmës sociale.
Banka vazhdon të jetë nën administrim të përkohshëm për një periudhë tre mujore. Për klientët me kartela bankare është vendosur kufi prej 10.000 denarësh në javë për tërheqje dhe pagesa.
Guvernatori Sllaveski siguroi se depozitat e klientëve mbeten në llogaritë e tyre dhe se kufizimet janë vendosur për të ruajtur likuiditetin dhe stabilitetin e bankës. Ai theksoi se nuk është hapur procedurë falimentimi apo likuidimi.

