Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ferit Hoxha, priti sot Ambasadoren e Kanadasë në Shqipëri, Elissa Golberg, me të cilën diskutoi mbi marrëdhëniet dypalëshe dhe mundësitë për zgjerimin e mëtejshëm të bashkëpunimit mes dy vendeve.
Ministri Hoxha vlerësoi Kanadanë si një vend mik, aleat në NATO dhe partner të besuar të Shqipërisë, duke shprehur mirënjohjen për kontributin e saj në konsolidimin demokratik dhe zhvillimin socio-ekonomik të vendit.
Gjatë takimit u theksua se marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Kanadasë janë zgjeruar dhe thelluar në vitet e fundit, duke krijuar mundësi të reja për bashkëpunim konkret në fusha me interes të ndërsjellë, përfshirë forcimin e lidhjeve mes qytetarëve, turizmin, tregtinë dhe bashkëpunimin ekonomik.
Një vëmendje e veçantë iu kushtua edhe përpjekjeve të përbashkëta për krijimin e Bankës për Mbrojtjen, Sigurinë dhe Qëndrueshmërinë, një mekanizëm financiar shumëpalësh që synon të mbështesë zhvillimin e kapaciteteve dhe mundësive të mëtejshme për thellimin e bashkëpunimit në këto fusha strategjike.

