Close Menu
ADAD
  • KRYESORE
  • SHQIPËRI
  • KOSOVË
  • MAQEDONI E VERIUT
  • LUGINA
  • BOTA
  • SPORT
  • SHOWBIZ
TË FUNDIT
Facebook X (Twitter) Instagram
Facebook X (Twitter) Instagram
ADAD
  • KRYESORE
  • SHQIPËRI
  • KOSOVË
  • MAQEDONI E VERIUT
  • LUGINA
  • BOTA
  • SPORT
  • SHOWBIZ
ADAD

Miratohet vendimi, kompensim 100% për bizneset e dëmtuara dhe të pasiguruara gjatë protestave! Faturën e paguajnë autorët!

ADAD28 Tetor, 2026 SHQIPËRI
Ndaje
Facebook Twitter LinkedIn Pinterest Email

Qeveria do të kompensojë plotësisht bizneset e vogla që kanë mbetur të dëmtuara nga dhuna gjatë protestave të zhvilluara nga 13 deri më 22 tetor.

Pagesa do të kryhet fillimisht nga buxheti i shtetit ndërsa më pas do të nisë procedura për mbledhjen e shumave nga personat përgjegjës për dëmet.

Me aktin normativ të miratuar këtë të mërkurë, skema do të përfshijë subjektet me qarkullim vjetor deri në 14 milionë lekë, sipas deklaratës tatimore të vitit 2025.

Kompensohen plotësisht dëmet materiale të bizneseve private që janë të pa mbuluara nga kompanitë e sigurimeve. Në rastet kur sigurimi mbulon vetëm një pjesë të dëmit, shteti do të paguajë diferencën.

Subjektet e dëmtuara duhet të paraqesin kërkesën pranë administratës tatimore, së bashku me dokumentacionin që provon dëmin dhe vlerën e tij. Administrata do të verifikojë dokumentet dhe do t’ia përcjellë dosjen Ministrisë së Ekonomisë dhe Inovacionit. Më pas, ministria do t’i kërkojë Policisë së Shtetit të verifikojë brenda 30 ditëve nëse dëmi është shkaktuar gjatë tubimeve të dhunshme dhe nga protestuesit.

Në rast se dëmi konfirmohet ministria do të kryejë pagesën në llogarinë bankare të subjektit brenda 30 ditëve nga përfundimi i procesit të evidentimit.

Pas kompensimit të bizneseve, shteti do të kërkojë kthimin e parave nga përgjegjësit e akteve vandale. Avokatura e Shtetit do t’u kërkojë fillimisht personave të identifikuar të paguajnë vullnetarisht shumën brenda 30 ditëve. Nëse kjo nuk ndodh, do të ngrihet padi civile ndaj tyre dhe, kur është rasti, edhe ndaj atyre që kanë organizuar tubimin e dhunshëm. Për dëmet e shkaktuara nga të miturit, përgjegjësia financiare u kalon prindërve ose kujdestarëve ligjorë.

AKT NORMATIV

PËR

SHPËRBLIMIN E DËMIT CIVIL TË SHKAKTUAR NDAJ SUBJEKTEVE TË PREKURA NGA AKTET E DHUNSHME GJATË TUBIMEVE DHE RREGULLIMIN E PASOJAVE

Në mbështetje të nenit 101 të Kushtetutës, me propozimin e ministrit të Ekonomisë dhe Inovacionit, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

Neni 1

Objekti

Objekt i rregullimit të këtij akti normativ është krijimi i një skeme kompensimi nga shteti për dëmet materiale të shkaktuara nga aktet e dhunshme gjatë tubimeve, të kryera nga individë, persona juridikë apo organizata të tjera, nga data 13.10.2026 deri në datën 22.10.2026, mbi pasuritë e luajtshme dhe të paluajtshme të personave fizikë ose juridikë privatë, që kategorizohen si biznese/tatimpagues, me kufi të qarkullimit deri në 14 milionë lekë, bazuar në deklaratën vjetore të vitit 2025.

Neni 2

Qëllimi

Qëllimi i këtij akti normativ është kompensimi i subjekteve të dëmtuara, pa ndryshuar kushtet materiale të përgjegjësisë civile të shkaktuesit të dëmit, sipas Kodit Civil.

Neni 3

Etapat e trajtimit

1. Dëmet e shkaktuara, në kushtet që përcakton neni 1, i këtij akti normativ, trajtohen sipas etapave të mëposhtme:

a) Kompensimi nga shteti i personave fizikë dhe juridikë privatë, që kategorizohen si biznese/tatimpagues, me kufi të qarkullimit deri në 14 milionë lekë, bazuar në deklaratën vjetore të vitit 2025, sipas rregullave të përcaktuara në këtë akt normativ. Masa e kompensimit që jepet nga shteti, sipas këtij akti normativ, është në vlerën e plotë të dëmit;

b) Kërkimi i kthimit te shteti i shumës, në masën e kompensimit të paguar të dëmtuarit, ndaj subjekteve përgjegjëse për shkaktimin e dëmit, sipas nenit 5, të këtij akti normativ.

2. Kompensimi, sipas këtij akti normativ, jepet vetëm për pasuritë që nuk janë të siguruara. Kur pasuria e dëmtuar është e siguruar, dëmi shpërblehet nga shoqëria e sigurimit, sipas kontratës së sigurimit, e cila, pas pagesës, ushtron të drejtën e regresit ndaj shkaktuesit të dëmit, sipas legjislacionit në fuqi. Kur kontrata e sigurimit nuk e mbulon rrezikun e dëmtimit nga trazirat, tubimet ose aktet e dhunshme, pasuria konsiderohet e pasiguruar, për qëllim të këtij akti normativ. Në rast se kontrata e sigurimit nuk e mbulon plotësisht vlerën e dëmit të shkaktuar, pjesa e pambuluar kompensohet sipas rregullave të këtij akti normativ.

Neni 4

Kompensimi në favor të të dëmtuarit

1. Personi fizik ose juridik privat, ndaj të cilit është shkaktuar një dëm gjatë tubimit të dhunshëm, pas hyrjes në fuqi të këtij akti normativ, paraqet kërkesë për kompensim pranë administratës tatimore, së bashku me:

a) dokumentacionin justifikues, që vërteton vlerën e sendeve që janë shkatërruar ose janë dëmtuar;

b) provat për faktin se dëmi është shkaktuar gjatë tubimit të dhunshëm nga protestuesit, nëse ai disponon të tilla;

c) nëse disponon, provat për identifikimin e protestuesit që ka shkaktuar dëmin;

ç) deklaratën e kërkuesit, nëse pasuria e dëmtuar është ose jo e siguruar dhe, kur ekziston kontratë sigurimi që nuk e mbulon këtë rrezik, kopjen e policës dhe përgjigjen e shoqërisë së sigurimit që e refuzon dëmshpërblimin, ndërsa kur pasuria është e siguruar pjesërisht, kopjen e policës së sigurimit dhe vendimin e shoqërisë së sigurimit për mbulimin e dëmit pjesërisht.

2. Administrata tatimore pranon kërkesat për kompensim, verifikon plotësinë e dokumentacionit dhe kryen mbledhjen paraprake të të dhënave që disponon për kërkuesin, përfshirë të dhënat për regjistrimin, qarkullimin e deklaruar në deklaratën vjetore të vitit 2025, faturat tatimore dhe inventarin e deklaruar dhe, brenda 5 ditëve punë nga marrja e kërkesës, ia përcjell ministrisë përgjegjëse për ekonominë kërkesën, së bashku me dokumentacionin e paraqitur nga kërkuesi. Në rast se administratës tatimore i paraqiten të dhëna shtesë pas çastit të përcjelljes së praktikës pranë Ministrisë së Ekonomisë dhe Inovacionit, ajo ia dërgon menjëherë të dhënat e reja kësaj ministrie.

3. Rregullat e hollësishme për mënyrën e paraqitjes së kërkesës, dokumentacionin që e shoqëron atë, përfshirë numrin e llogarisë së subjektit të dëmtuar, mbledhjen paraprake të të dhënave dhe përcjelljen e tyre në Ministrinë e Ekonomisë dhe Inovacionit, përcaktohen me udhëzim të ministrit përgjegjës për financat.

4. Ministria e Ekonomisë dhe Inovacionit, pas administrimit të dokumentacionit dhe të të dhënave të përcjella nga administrata tatimore, i kërkon Policisë së Shtetit, që, brenda 30 ditëve të verifikojë, në bazë të informacionit të administruar prej saj, nëse rezulton që dëmi të jetë shkaktuar gjatë tubimit të dhunshëm dhe nga protestuesit ose jo, apo nëse ka të dhëna kontradiktore, me provat e paraqitura prej kërkuesit. Si provë mund të shërbejë edhe dokumentacioni i hartuar nga punonjësit e policisë të pranishëm gjatë zhvillimit të tubimit të dhunshëm.

5. Procedura e shqyrtimit të dokumentacionit të ardhur nga administrata tatimore,  verifikimit me Policinë e Shtetit, vlerësimit të dëmit nga ekspertë të licencuar,  si dhe mënyra e kryerjes së pagesës së kompensimit përcaktohen me udhëzim të ministrit përgjegjës për ekonominë.

Përveç marrjes së informacionit nga Policia e Shtetit, nëse e vlerëson të nevojshme, Ministria e Ekonomisë dhe Inovacionit mund t’u kërkojë informacion dhe bashkërendim të punës edhe institucioneve të tjera shtetërore, në përputhje me kompetencat ligjore të tyre, për qëllimet e zbatimit të këtij neni.

6. Në rast se nga verifikimi i këtyre të dhënave evidentohet se dëmi është shkaktuar gjatë tubimit të dhunshëm dhe nga protestuesit, atëherë Policia e Shtetit i konfirmon Ministrisë së Ekonomisë dhe Inovacionit këtë fakt dhe kjo ministri pranon kërkesën për kompensim, e cila brenda 30 ditëve nga përfundimi i evidentimit, vendos kalimin e shumës në llogarinë bankare të personit fizik/juridik, Në të kundërt, nëse nuk ka prova të mjaftueshme për të përcaktuar nëse dëmi është shkaktuar gjatë tubimit të dhunshëm nga protestues, atëherë Ministria e Ekonomisë dhe Inovacionit nuk pranon kërkesën e personit, si dhe e njofton për këtë fakt.

7. Kompensimi, sipas këtij neni, për dëmet që policia i konstaton si të kryera gjatë tubimit të dhunshëm, realizohet, pavarësisht faktit, nëse është arritur të identifikohet subjekti që ka shkaktuar dëmin apo organizata që e ka urdhëruar atë, ose që ka organizuar protestën. Në çdo rast, subjekti i dëmtuar përfiton shpërblimin, brenda afateve të përcaktuara në këtë nen.

8. Subjekti që ka paraqitur kërkesë për të përfituar kompensimin, sipas këtij neni, dhe që e pranon shumën e kompensimit, konsiderohet i shpërblyer deri në masën e shumës së paguar dhe nuk mund ta kërkojë sërish këtë shumë nga shkaktuesi i dëmit. I dëmtuari ruan të drejtën, që, sipas Kodit Civil, të kërkojë pjesët dhe llojet e tjera të dëmit që nuk i përfiton, sipas këtij akti normativ, ndaj subjektit që ka shkaktuar dëmin. Me pagesën, shtetit i lind e drejta për t’i kërkuar subjektit që ka shkaktuar dëmin kthimin e shumës, sipas nenit 5, të këtij akti normativ.

9. Udhëzimet e parashikuara në këtë nen miratohen brenda 7 ditëve nga hyrja në fuqi e këtij akti normativ.

10. Efektet financiare për kompensimin e të dëmtuarve përballohen nga buxheti i ministrisë përgjegjëse për ekonominë, fondet për të cilat alokohen me vendim të Këshillit të Ministrave.

Neni 5

Kthimi i vlerës së dëmit të shkaktuar

1. Në rastet kur kryhet kompensimi, sipas nenit 4, të këtij akti normativ, shteti ka të drejtën e regresit ndaj subjektit që ka shkaktuar dëmin, për vlerën e kompensimit të dhënë ndaj të dëmtuarit. Nëse Policia e Shtetit e ka identifikuar individin/ët që ka/kanë shkaktuar dëmin, ia njofton atë Ministrisë së Ekonomisë dhe Inovacionit së bashku me informacionin e vënë në dispozicion, sipas nenit 4, të këtij akti normativ, ose, në rast se kjo nuk dihet në atë moment, ia komunikon menjëherë pasi ta ketë kryer identifikimin. Ministria e Ekonomisë dhe Inovacionit njofton Avokaturën e Shtetit, e cila fton subjektin e identifikuar që të kthejë vullnetarisht shumën e kompensimit. Nëse subjekti nuk e shlyen shumën brenda 30 ditëve, Avokatura e Shtetit është e autorizuar, në bazë të këtij akti normativ, për të ngritur padinë e regresit ndaj subjektit që ka shkaktuar dëmin, në masën e kompensimit të dhënë ndaj të dëmtuarit.

2. Nëse ndaj personit është marrë vendim gjyqësor i formës së prerë për pafajësinë ose vendim për pushimin e çështjes/ndjekjes penale, për shkak se ka rezultuar se nuk e ka kryer ai veprën, Avokatura e Shtetit heq dorë nga gjykimi i padisë.

3. Padia për kthimin e shumës i kundrejtohet subjekteve të identifikuara që kanë shkaktuar dëmin, si dhe personit juridik/organizatës që ka organizuar protestën/tubimin e dhunshme/ëm (nëse ka të tillë), e cila është përgjegjëse solidarisht për dëmin e shkaktuar. Kur subjektet që kanë shkaktuar dëmin janë të mitur nën 14 vjeç ose persona të pazotë për të vepruar, përgjegjës janë prindërit, kujdestari ose ata të cilëve u janë besuar ose i kanë në mbikëqyrje personat e pazotë, përveç kur provojnë se nuk kanë mundur të ndalonin shkaktimin e dëmit, në përputhje me nenin 613, të Kodit Civil. Kur subjektet që kanë shkaktuar dëmin janë të mitur mbi 14 vjeç, prindërit ose kujdestari përgjigjen për dëmin e mësipërm kur i mituri nuk nxjerr të ardhura nga puna ose nuk ka vetë pasuri, përveç kur provojnë se nuk kanë mundur të ndalonin shkaktimin e dëmit, në përputhje me nenin 614, të Kodit Civil.

4. Parashikimet e këtij neni për ngritjen e padisë së regresit nga Avokatura e Shtetit kundrejt subjekteve, që kanë shkaktuar dëm civil ndaj personave fizikë dhe juridikë privatë, nuk interpretohen në asnjë rast si kufizim i së drejtës së Avokaturës për të kërkuar shpërblimin e dëmit, në rastet kur të dëmtuarit nga aktet e dhunës janë institucionet publike, në emër dhe për llogari të këtyre institucioneve. Për dëmet e shkaktuara ndaj pasurisë shtetërore dhe publike, institucionet e dëmtuara dhe Policia e Shtetit i vënë në dispozicion Avokaturës së Shtetit listën e personave ose organizatës/ave që ka/kanë shkaktuar dëmin, të dhënat për dëmin e shkaktuar dhe për identifikimin e subjekteve përgjegjëse, në mënyrë që kjo e fundit të ngrejë padinë e shpërblimit të dëmit ndaj tyre në përputhje me dispozitat e Kodit Civil.

Neni 6

Sanksionet administrative

Ndaj personave që u është vlerësuar i ligjshëm arresti, drejtoria vendore përkatëse e Policisë së Shtetit vendos gjobë, sipas nenit 24/1 të ligjit nr.8773, datë 23.4.2001 “Për tubimet”, kur është urdhëruar shpërndarja e tubimit/organizimit/grumbullimit të paligjshëm dhe gjatë zhvillimit të tij janë kryer krime.

Neni 7

Ankimi

Subjektet ndaj të cilave është vendosur gjobë, sipas nenit 6, të këtij akti normativ, kanë të drejtë të ushtrojnë ankimin gjyqësor, në përputhje me rregullat dhe afatet e parashikuara në ligjin për gjykimin e mosmarrëveshjeve administrative.

Neni 8

Hyrja në fuqi

Ky akt normativ hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E M I N I S T R I

EDI RAMA

Artikuj të ngjashëm

“Isha unë”, rrëfehet vrasësi i shqiptarit të gjetur në pus në Itali/Konflikti lidhej me drogën!

29 Tetor, 2026

I kërkuar për sigurimin e kushteve për vrasje, ekstradohet nga Gjermania 29-vjeçari!

29 Tetor, 2026

E enjte, 29 tetor/Si është moti sot?

29 Tetor, 2026
TË FUNDIT

Tronditje në shëndetësi: Bastisje në mbi 10 lokacione, nën hetim spitali privat dhe ish-drejtori i FSSH-së

29 Tetor, 2026

“Isha unë”, rrëfehet vrasësi i shqiptarit të gjetur në pus në Itali/Konflikti lidhej me drogën!

29 Tetor, 2026

Parashikohen ndryshime në buxhetin 2026: 102 milionë euro për pagën e 13-të dhe përvojën e punës, 20 milionë për pensionistët

29 Tetor, 2026

I kërkuar për sigurimin e kushteve për vrasje, ekstradohet nga Gjermania 29-vjeçari!

29 Tetor, 2026

Kurti: Vatan e iman shkojnë së bashku – 38 hoxhallarë ranë dëshmorë në luftën e Kosovës

29 Tetor, 2026

E enjte, 29 tetor/Si është moti sot?

29 Tetor, 2026

Shkon në 46 numri i të vdekurve nga përplasja mes trenave në Spanjë

29 Tetor, 2026

Aleanca e Profesionistëve të Lirë kundërshton Paketën Fiskale 2027: Rrezikohet rritja e barrës tatimore dhe konkurrueshmëria e biznesit

29 Tetor, 2026

I akuzuar si drejtues dhe financues i një grupi të strukturuar kriminal për trafik armësh, SPAK dërgon për gjykim Eugert Sinon

29 Tetor, 2026

Takoi Veliajn në burgun e Fierit, flet avokati Ndreca!

29 Tetor, 2026
POLITIKË

Tronditje në shëndetësi: Bastisje në mbi 10 lokacione, nën hetim spitali privat dhe ish-drejtori i FSSH-së

MAQEDONI E VERIUT 29 Tetor, 2026

Shkup, Tetovë dhe Kumanovë – Një aksion i madh policor është duke u zhvilluar mëngjesin…

“Isha unë”, rrëfehet vrasësi i shqiptarit të gjetur në pus në Itali/Konflikti lidhej me drogën!

29 Tetor, 2026

Parashikohen ndryshime në buxhetin 2026: 102 milionë euro për pagën e 13-të dhe përvojën e punës, 20 milionë për pensionistët

29 Tetor, 2026

I kërkuar për sigurimin e kushteve për vrasje, ekstradohet nga Gjermania 29-vjeçari!

29 Tetor, 2026

Kurti: Vatan e iman shkojnë së bashku – 38 hoxhallarë ranë dëshmorë në luftën e Kosovës

29 Tetor, 2026

E enjte, 29 tetor/Si është moti sot?

29 Tetor, 2026

Shkon në 46 numri i të vdekurve nga përplasja mes trenave në Spanjë

29 Tetor, 2026
Facebook X (Twitter) Instagram Pinterest
  • IMPRESUM
  • KONTAKT
© 2026 albaniandiaspora.eu

Type above and press Enter to search. Press Esc to cancel.