Futbolli ka nisur të testojë një risi teknologjike në gjykimin e ndeshjeve, pasi në Uruguaj janë përdorur kartonët e verdhë dhe të kuq në formë dixhitale, në vend të atyre tradicionalë.
Prova u zhvillua më 15 tetor, në ndeshjen mes Nacionalit dhe Rentistasit, në kuadër të Kupës së Uruguait, ku gjyqtari Eduardo Varela përdori një pajisje elektronike për të sinjalizuar ndëshkimet disiplinore.
Pajisja, e cila ngjan me një telefon ose tablet të vogël, është krijuar për të lehtësuar punën e gjyqtarëve dhe për të përmirësuar regjistrimin e ngjarjeve gjatë ndeshjeve.
Përmes këtij sistemi synohet që kartonët, përjashtimet dhe ngjarjet e tjera disiplinore të regjistrohen në mënyrë automatike në sistemin COMET të Federatës Uruguaiane të Futbollit.Sipas raportimeve të mediave, pajisja mund të funksionojë edhe pa lidhje Wi-Fi, duke mundësuar përdorimin e saj gjatë ndeshjeve pa pasur nevojë për lidhje të vazhdueshme me internetin.
Megjithatë, testimi ka nxjerrë në pah edhe disa probleme. Një prej tyre është dukshmëria e kartonëve, pasi tifozët në stadium dhe shikuesit përmes transmetimeve televizive kanë pasur vështirësi për t’i dalluar ngjyrat e paraqitura në pajisje.
Për këtë arsye, po shqyrtohen mundësi për përmirësimin e saj, përfshirë vendosjen e ndriçimit LED, në mënyrë që sinjalizimet e gjyqtarëve të jenë më të dukshme për lojtarët, tifozët dhe publikun televiziv.
Për momentin, bëhet fjalë për një fazë testimi dhe nuk ka ndonjë vendim që kartonët dixhitalë të zëvendësojnë ata tradicionalë në garat ndërkombëtare. Megjithatë, projekti synon të zhvillohet më tej dhe, nëse rezultatet janë pozitive, teknologjia mund të tërheqë interesimin e organizmave më të mëdhenj të futbollit.

