Gjashtë ndeshje pa shënuar gol dhe një seri prej dhjetë ndeshjesh pa fitore. Me këtë bilanc, përfaqësuesja e futbollit të Maqedonisë e pret ndeshjen e nesërme të Ligës së Kombeve kundër Skocisë në Shkup. Selektori Goce Sedlloski ende e pret fitoren e tij të parë në krye të përfaqësueses. Ai është i vetëdijshëm për serinë e keqe, për paraqitjet dhe rezultatet e dobëta, por thotë se mbetet në qëndrimin për ta rinovuar përfaqësuesen, duke shtuar se të gjitha kritikat duhet të drejtohen ndaj tij.
“Këta djem që janë këtu, ju lutem jepuni mbështetje. Unë e rinovova përfaqësuesen dhe do të vazhdoj ta rinovoj. Kritikat le të shkojnë tek unë. Unë kam kontratë me Federatën, ky është qëllimi ynë, ta rinovojmë përfaqësuesen, të krijojmë lojtarë të rinj dhe këtu nuk ndalem. E thashë këtë edhe pas ndeshjes në Lubjanë dhe në atë proces do të qëndroj deri në fund”, tha Goce Sedlloski.
Sulmuesi Bojan Miovski, i cili luan në kampionatin skocez për Rangers, thotë se këto nuk janë rezultatet e dëshiruara, por do të përpiqen që në duelin me Skocinë ta ndërpresin serinë pa fitore.
“Tani jemi në një moment në të cilin duhet të tregojmë karakter dhe unitet. Normalisht, nuk kemi rezultatet e dëshiruara, ashtu siç presim, por tani duhet të jemi ekip dhe këtë ta dëshmojmë në fushë. Mund të flasim shumë këtu, të themi çfarëdo, por këtë duhet ta tregojmë në fushë”, tha Bojan Miovski.
Sipas Jani Atanasovit, përveç rezultateve të dobëta, atmosfera mes futbollistëve është pozitive dhe të gjithë besojnë se më në fund do të sigurohet një rezultat pozitiv.
“Sigurisht që ka pakënaqësi në përfaqësuese pas dy humbjeve, por që kur jam pjesë e përfaqësueses, nuk më kujtohet që atmosfera të ketë qenë e keqe dhe që ndonjë prej lojtarëve të mos jetë angazhuar maksimalisht. Mes djemve atmosfera është top dhe shpresojmë për një rezultat pozitiv”, deklaroi Jani Atanasovit.
Ndeshja Maqedoni-Skoci do të luhet nesër mbrëma, në stadiumin “Todor Proeski” në Shkup, duke filluar nga ora 20:45. Deri tani, këto dy përfaqësuese kanë zhvilluar katër ndeshje mes tyre. Skocia ka dy fitore, Maqedonia një, ndërsa një ndeshje ka përfunduar pa fitues.

