Kryetari i Prezencës së OSBE-së në Shqipëri, ambasadori Michel Tarran, u takua sot me Kryetarin e Dhomës së Avokatisë së Shqipërisë, Prof. Dr. Maksim Haxhia, ku në fokus të diskutimeve ishte zhvillimi i sistemit të drejtësisë në vend.
Gjatë takimit u shkëmbyen pikëpamje mbi rolin e profesionit të avokatisë në forcimin e shtetit të së drejtës, garantimin e aksesit në drejtësi dhe respektimin e standardeve për një proces të rregullt ligjor.
Sipas Prezencës së OSBE-së, diskutimet u përqendruan gjithashtu te sfidat aktuale me të cilat përballen avokatët gjatë ushtrimit të profesionit të tyre.
Në takim u nënvizua rëndësia e bashkëpunimit ndërmjet aktorëve të sistemit të drejtësisë për forcimin e një sistemi të përgjegjshëm dhe efektiv.
Prezenca e OSBE-së në Shqipëri theksoi se mbetet e angazhuar në mbështetjen e shtetit të së drejtës dhe të një sistemi drejtësie efektiv, në bashkëpunim me institucionet dhe profesionistët e fushës, përfshirë Dhomën e Avokatisë së Shqipërisë.

