Reshjet e dendura të shiut kanë shkaktuar probleme në qarkun e Kukësit, me rrëshqitje dherash, rënie gurësh dhe dëmtime të rrugëve e banesave.
Në Tropojë, situata më problematike paraqitet në aksin Bajram Curri-Cërrnicë, ku shembja e bazamentit të rrugës ka sjellë bllokimin e qarkullimit. Automjetet po devijohen nga aksi Sopot-Ura e Bujanit. Ndërkohë, pranë Pikës Kufitare të Morinit, një kamion ka dalë nga rruga për shkak të lagështirës.
Probleme janë raportuar edhe në disa fshatra të Kukësit, ku rënia e gurëve dhe inerteve ka vështirësuar lëvizjen.
Drejtuesve të mjeteve u bëhet apel për kujdes të shtuar në akset rrugore problematike.
Por reshjet nuk kanë sjellë vetëm dëme. Ato kanë ndikuar në rritjen e rezervave hidrike në Kaskadën e Drinit. Niveli i Fierzës ka arritur në 261.09 metra, ndërsa rrënojat e qytetit të vjetër të Kukësit janë mbuluar nga uji.
Sipas Korporatës Elektroenergjitike Shqiptare, aktualisht nuk ka shkarkime në tre hidrocentralet e kaskadës.

