Pas Ministrisë për Evropën dhe Punët e Jashtme, edhe Ministria e Mbrojtjes reagoi duke hedhur poshtë pretendimet në platforma ndërkombëtare se ishin nisur nga territori shqiptar, dronët detarë të përdorur në sulmin ndaj një anijeje luftarake ruse në portin libian të Bengazit.
Në një deklaratë zyrtare, sqaron se Forcat e Armatosura të Republikës së Shqipërisë nuk kanë pasur asnjë përfshirje në operacionin që çoi në fundosjen e korvetës “Merkury”.
Sipas ministrisë, pretendimi i përhapur nga platforma “Clash Report” u ndoq nga “Visioner”, duke raportuar se dronët e përdorur për goditjen e anijes ruse u nisën nga Shqipëria dhe përshkuan mbi 800 kilometra në Detin Mesdhe.
Platforma Clash Report, e ndjekur nga Visioner, ka përhapur pretendimin se dronët e përdorur për goditjen e anijes ruse janë nisur nga territori shqiptar, duke përshkuar mbi 800 kilometra në Detin Mesdhe. Ky pretendim nuk shoqërohet me asnjë provë të verifikueshme për vendnisjen e dronëve apo identitetin e operatorëve.
Paraqitja e një informacioni të tillë si fakt, pa prova dhe pa verifikim të pavarur, krijon një narrativë dezinformuese që e lidh Shqipërinë me një operacion ushtarak kundër Rusisë.
Ministria për Europën dhe Punët e Jashtme e ka përgënjeshtruar zyrtarisht pretendimin. Ministria e Mbrojtjes konfirmon se Forcat e Armatosura të Republikës së Shqipërisë nuk kanë kryer, nuk kanë marrë pjesë dhe nuk kanë ofruar asnjë mbështetje për një operacion të tillë.
Ky pretendim nuk shoqërohet me prova të verifikueshme për vendnisjen e dronëve apo identitetin e operatorëve. Paraqitja e një informacioni të tillë si fakt, pa verifikim të pavarur, krijon një narrativë që e lidh Shqipërinë me një operacion ushtarak kundër Rusisë.
Ministria e Mbrojtjes nënvizon edhe se duhet bërë dallimi mes sulmit ndaj anijes ruse, përgjegjësinë për të cilin e mori Ukraina dhe pretendimeve për origjinën e mjeteve të përdorura.
Duhet bërë dallimi mes raportimeve për sulmin ndaj anijes ruse dhe pretendimit se ai është organizuar apo realizuar nga territori shqiptar. Ekzistenca e një sulmi nuk provon origjinën e mjeteve të përdorura dhe aq më pak përfshirjen e Shqipërisë.
Ministria e Mbrojtjes mbështet qëndrimin zyrtar të MEPJ-së dhe e konsideron lidhjen e pabazuar të Shqipërisë me këtë operacion një informacion çorientues, që nuk duhet të riprodhohet si fakt i konfirmuar.
Përgjegjësia në raportimin e çështjeve të sigurisë kërkon dallimin e qartë mes fakteve të verifikuara dhe pretendimeve të pambështetura në prova.
Ukraina mori përgjegjësinë për sulmin. Presidenti Volodymyr Zelensky konfirmoi se operacioni u realizua me shtatë dronë detarë, duke fundosur korvetën ruse “Merkury”, një prej anijeve më të reja të flotës së Moskës.

