Kryeministri Rama vijon fjalën e tij në Asamblenë e PS, duke folur në lidhje me strehimin social dhe atë të përballueshëm, që e konsideron si një shtresë të re dhe një mundësi të madhe për të rinjtë që nuk kanë mundësinë të përballojnë blerjen e një shtëpie.
“Në një vend si Shqipëria që është zhvilluar në këto 10 vite me shpejtësi, por duke lënë edhe shumë njerëz shumë mbrapa, strehimi nuk është vetëm halli i atij që nuk ka ku të fusë kokën, por strehimi është edhe halli i një polici, infermiereje, polici, ushtaraku apo një profesionisti të shtetit, i të rinjve që punojnë fort, por nuk mund të kenë apartamentin e tyre.
Strehimi sot nuk është më nevojë për më të varfrit, por edhe për një shtresë të re të mesme që nuk e përballo dot çmimin e rritur të apartamenteve. Me ligjin e ri do të adresojmë diçka që është problem edhe i vendeve më të zhvilluara. Do krijojmë shtresën e re të strehimit të përballueshëm. Do të ketë mbështetje edhe për qiratë.
Me shkollat dhe me kopshtin pranë, këto janë të gjitha pjesë të këtij projekti. Me buxhetin e ri she sistemin e adresimit të çështjes së strehimit me ligjin e sapomiratuar 10 mijë familje të reja do të kenë shansin të marrin çelësin e shtëpisë duke nisur nga viti i ardhshëm. Kemi ambicien që deri në 2030 të dorëzojmë 55 mijë çelësa sipas të gjitha këtyre kategorive, ku shteti i gjendet pranë të gjithë atyre që meritojnë mbështetje për të pasur çatinë e tyre.
Një qytet që ndërton gjithnjë e më shumë si Tirana, por gjithnjë e më shumë të rinj kanë vështirësi të kenë shtëpi, Tiranën e shohim si një burim mundësish për shpërndarjen e kësaj pasurie të patundshme. Këtu kam një pikë që dua ta ndaj me të gjithë ata që bien pre e asaj propagandës skandaloze se e keqja vjen nga kullat.
Ne nuk kemi ndërtuar ende shumë kulla sa të mendojmë për pasoja, por në ato pak të ndërtuara të ardhurat në buxhetin e bashkisë janë domethënëse. Të gjithë kur shohin një kullë apo një pallat të ri që ndërtohet, ta dinë se 3% e tyre janë për strehimin social dhe 8% taksë për qytetin. Nëse Bashkisë i heq taksat dhe kontributet nga ndërtimi, nuk përballon dot shumë nga nevojat që ka qyteti për shërbime e kështu me radhë”, u shpreh Rama.

