Nga Fejzi Hajdari
Mungesa e qoftë edhe një kadeti shqiptar në Akademinë Ushtarake të Maqedonisë së Veriut, nuk është thjesht një statistikë shqetësuese. Është një kambanë alarmi për përfaqësimin e shqiptarëve në institucionet shtetërore dhe, mbi të gjitha, një dëshmi e dështimit politik të atyre që kanë marrë përsipër t’i përfaqësojnë interesat e tyre në pushtet.
Ministria e Mbrojtjes, duke iu përgjigjur akuzave të BDI-së, ka ofruar një arsyetim që më shumë ngre pikëpyetje, sesa jep përgjigje: Në konkursin për Akademinë Ushtarake kanë aplikuar vetëm dy shqiptarë, njëri është tërhequr, ndërsa tjetri është renditur në vendin e 43-të.
Dhe kaq! Me këtë shpjegim, duket sikur institucioni e konsideron çështjen të mbyllur.
Por, a mund të mbyllet kaq lehtë një çështje që prek drejtpërdrejt një nga shtyllat themelore të Marrëveshjes së Ohrit: Përfaqësimin e drejtë dhe adekuat të bashkësive etnike në institucionet shtetërore? Sigurisht që jo!
Marrëveshja e Ohrit nuk u nënshkrua që përfaqësimi i shqiptarëve të mbetej në mëshirën e rastësisë (procesi ky që duhej të përfundonte në vitin 2004), të interesimit individual apo të numrit të aplikimeve. Ajo krijoi një detyrim politik dhe institucional për ndërtimin e mekanizmave që garantojnë mundësi reale, të barabarta dhe përfaqësim të drejtë.
Natyrisht, kjo nuk nënkupton pranimin automatik të kandidatëve pa plotësuar kriteret profesionale. Por nënkupton diçka shumë më të rëndësishme: institucionet duhet të krijojnë kushtet që shqiptarët të informohen, të motivohen, të përgatiten dhe të kenë mundësi të barabarta për të konkurruar.
Nëse për një akademi kaq të rëndësishme kanë aplikuar vetëm dy shqiptarë, atëherë problemi nuk fillon te kandidatët, por fillon shumë më herët, te institucionet dhe politika!
Ku ishin fushatat informuese? Ku ishin takimet me maturantët shqiptarë? Ku ishte promovimi i profesionit ushtarak në shkollat e mesme shqipe? A u organizuan aktivitete për t’ua prezantuar të rinjve shqiptarë mundësitë që ofron Akademia Ushtarake? Dhe, çfarë kanë bërë partitë shqiptare në pushtet?
Kjo është pyetja që kërkon përgjigje, jo justifikime!
Partitë shqiptare që janë pjesë e Qeverisë, nuk mund të sillen si vëzhguese të pafuqishme të një procesi për të cilin mbajnë përgjegjësi politike. Ato nuk janë në pushtet vetëm për të administruar poste ministrore, drejtori, borde dhe privilegje partiake.
Janë aty, të paktën sipas mandatit politik që pretendojnë, për të mbrojtur interesat e qytetarëve që përfaqësojnë dhe për të garantuar respektimin e parimeve mbi të cilat është ndërtuar stabiliteti ndëretnik i shtetit.
Prandaj, përfaqësuesit shqiptarë në Qeveri duhet të dalin publikisht dhe të tregojnë: Çfarë kanë ndërmarrë konkretisht për të nxitur pjesëmarrjen e të rinjve shqiptarë në Akademinë Ushtarake?
Nëse kanë organizuar aktivitete, le t’i bëjnë publike! Nëse kanë kërkuar masa institucionale, le t’i dokumentojnë! Nëse kanë identifikuar pengesa, le të tregojnë si janë përpjekur t’i eliminojnë! Por nëse nuk kanë bërë asgjë, atëherë duhet ta pranojnë përgjegjësinë politike.
Për shkak se arsyetimet e tipit “nuk konkurruan”, “nuk kishte interesim” apo “nuk i plotësuan kushtet”, nuk mund të shërbejnë pafundësisht si mburojë për dështimet institucionale.
Një pushtet serioz nuk mjaftohet duke konstatuar mungesën e interesimit. Ai përpiqet të kuptojë pse mungon interesimi dhe çfarë duhet bërë për ta ndryshuar gjendjen. Dhe këtu lind një problem edhe më i madh.
Pikërisht këtu qëndron një nga pasojat më shqetësuese të kësaj papërgjegjësie politike. Mungesa e perspektivës, ndjenja e përjashtimit dhe humbja e besimit te institucionet janë ndër faktorët që mund ta shtyjnë rininë drejt emigrimit.
Partitë shqiptare në pushtet duhet ta kuptojnë se, nëse nuk krijojnë perspektivë për të rinjtë në vendin e tyre, ato rrezikojnë të bëhen bashkëpërgjegjëse për zbrazjen e vendbanimeve shqiptare. Dhe kjo do të ishte shumë më e rëndë sesa humbja e një konkursi apo e disa vendeve në një akademi. Do të ishte humbja graduale e potencialit njerëzor, intelektual dhe profesional të një komuniteti.
Për më tepër, përfaqësimi i shqiptarëve në institucionet e mbrojtjes nuk është vetëm çështje punësimi, por edhe çështje besimi ndaj shtetit, përkatësie institucionale dhe pjesëmarrjeje të barabartë në strukturat që garantojnë sigurinë e të gjithë qytetarëve.
Një ushtri që synon të jetë institucion i të gjithëve, duhet të krijojë besim dhe mundësi reale për të gjithë.
Prandaj, debati nuk duhet të përfundojë me dy kandidatët shqiptarë që aplikuan këtë vit. Ai duhet të fillojë pikërisht aty!
Ministria e Mbrojtjes duhet të shpjegojë çfarë politikash ka zhvilluar për promovimin e Akademisë te komunitetet e nënpërfaqësuara. Ndërsa partitë shqiptare në pushtet duhet të japin llogari për veprimet, angazhimet dhe rezultatet e tyre konkrete.
Marrëveshja e Ohrit nuk është dekor politik që përmendet vetëm gjatë fushatave zgjedhore dhe përvjetorëve ceremonialë. Ajo është një përgjegjësi që duhet të dëshmohet çdo ditë në praktikën institucionale.
Në fund të fundit, pyetja nuk është vetëm pse nuk u pranua asnjë shqiptar në Akademinë Ushtarake, por pyetja është shumë më therëse:
Si është e mundur që, më shumë se një çerek shekulli pas themelimit të Akademisë dhe 25 vjet pas Marrëveshjes së Ohrit, ende të dëgjojmë arsyetime kaq të varfra për mungesën e përfaqësimit shqiptar?
Dhe, para së gjithash, deri kur partitë shqiptare në pushtet do të vazhdojnë të kërkojnë merita për postet që marrin, ndërsa përgjegjësinë për dështimet ua lënë qytetarëve?
Për shkak se pushteti nuk matet me numrin e kolltukëve që zotëron një parti, por me të drejtat që mbron, mundësitë që krijon dhe të ardhmen që u siguron qytetarëve.
Nëse nuk arrijnë ta kuptojnë këtë, atëherë problemi nuk është se të rinjtë shqiptarë nuk po trokasin në dyert e institucioneve. Problemi është se politika shqiptare në pushtet nuk po bën mjaftueshëm që ato dyer të bëhen realisht të arritshme për ta! Dhe për këtë, dikush duhet të japë llogari. Jo nesër. Sot!

