Bankat në Maqedoninë e Veriut paralajmërojnë se gjatë fundjavës, më 7 dhe 8 nëntor, mund të ketë ndërprerje të përkohshme ose kufizime të disa shërbimeve bankare, veçanërisht të transaksioneve të pagesave.
Sipas Shoqatës Bankare të Maqedonisë, bankat do të përshtatin sistemet e tyre me standardet e reja të qarkullimit të pagesave në denarë, të cilat hyjnë në zbatim të hënën, më 9 nëntor.
Ndryshimet përfshijnë urdhërpagesat e reja, kodet e qëllimit të pagesës dhe përdorimin e llogarive në formatin IBAN.
Qytetarët dhe kompanitë këshillohen t’i kryejnë pagesat me kohë dhe të ndjekin njoftimet e bankave për oraret dhe kohëzgjatjen e kufizimeve të mundshme.
Nga Shoqata Bankare sqarojnë se numrat ekzistues të llogarive nuk do të ndryshojnë, ndërsa përshtatjet në shërbimet elektronike dhe mobile do të realizohen nga vetë bankat.

