Lidhjet dhe mbështetjet e ndërsjella ndërmjet politikanëve të Luginës së Preshevës dhe atyre të Kosovës tashmë janë bërë praktikë e zakonshme, veçanërisht gjatë proceseve zgjedhore. Një gjë e tillë po vërehet edhe në prag të zgjedhjeve për Këshillin Kombëtar Shqiptar (KKSH), që do të mbahen të dielën, më 8 nëntor.
Kandidati i koalicionit LPD-PDSH, Shqiprim Musliu, së fundmi ka publikuar një mesazh mbështetës nga ish-kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, i cili u ka bërë thirrje shqiptarëve të Luginës që ta votojnë djalin e të ndjerit Jonuz Musliu. Edhe vetë Shqiprim Musliu në zgjedhjet e mëparshme në Kosovë kishte mbështetur AAK-në e Haradinajt dhe më vonë Aleancën e Ardian Gjinit.
Haradinaj, ndërkohë, është takuar edhe me kandidatin e APN-së, Levent Qazimi, djalin e Komandant Lleshit, por pa shprehur publikisht mbështetje elektorale për të. Qazimi takimin e ka përshkruar si një shtrëngim duarsh me respekt dhe konsideratë të ndërsjellë.
Nga ana tjetër, kandidati i PVD-së, Enkel Rexhepi, njihet për afërsinë e tij politike me Lëvizjen Vetëvendosje dhe kryeministrin Albin Kurti. Rexhepi ka marrë pjesë në aktivitete dhe forume të organizuara nga LVV-ja dhe institucionet e Kosovës, ndërsa në disa procese zgjedhore ka mbështetur publikisht politikat e Kurtit. Ndonëse nuk ka një deklarim zyrtar mbështetës nga kryeministri kosovar, raportet e deritanishme politike lënë të kuptohet se Rexhepi gëzon simpatinë e qarqeve të Vetëvendosjes. Ai njëkohësisht synon të afirmojë profilin e tij si kandidat i angazhuar për avancimin e pozitës së shqiptarëve në Serbi.
Ndërkaq, Sali Salihi, kandidati i Partisë Demokratike (PD), deri më tani nuk ka publikuar ndonjë mbështetje nga liderët e Kosovës. Megjithatë, subjekti i tij politik prej vitesh kultivon raporte të mira me zyrtarë të lartë të PDK-së. Salihi duket se ka zgjedhur një qasje tjetër, duke e përqendruar kandidaturën te problemet dhe nevojat konkrete të shqiptarëve të Luginës, pa e vendosur përkrahjen nga Prishtina në qendër të fushatës. Kjo qasje e profilizon atë si kandidat që synon ta fitojë besimin e qytetarëve përmes angazhimit të drejtpërdrejtë në çështjet lokale.
Pavarësisht simpative dhe mbështetjeve politike nga Kosova, fjalën përfundimtare për drejtimin e ardhshëm të KKSH-së do ta kenë shqiptarët e Luginës së Preshevës, përmes votës së tyre më 8 nëntor./LUGINALAJMI/

